Lidhje

Presidenti Obama sfidon republikanët të miratojnë Aktin e Punës


Presidenti Obama sfidon republikanët të miratojnë Aktin e Punës
Presidenti Obama sfidon republikanët të miratojnë Aktin e Punës

Presidenti vizitoi shtetin juperëndimor të Teksasit të martën për të promovuar Aktin e Punës dhe grumbulluar para për fushatën e rizgjedhjes së tij në vitin 2012.

Në një kolegj në afërsi të Dallasit në Teksas, zoti Obama sfidoi një prej kritikëve më të ashpër të tij, udhëheqësin e shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Erik Kantor.

Republikani i dytë nga Dhoma e Përfaqësuesve tha të henën se ligjvënësit republikan do të konsideronin pjesë të propozimit të presidentit por jo tërë paketën prej 447 miliard dollarësh.

Në Teksas, zoti Obama tha se zoti Kantor duhet të mbahet përgjegjës për bllokimin e përparimit të nismës.

“Do të doja që zoti Kantor të vijë këtu në Dallas dhe spjegojë se pikërisht çfarë nuk beson në Aktin e Punës. Pikërisht çfarë kundërshton ai ?”

Presidenti tha se plani i tij do të krijojë vende pune në arsim, ndërtimtari dhe pjesë të tjera të ekonomisë. Në disa prej kritikave të tij më të ashpra deri tani, ai sfidoi udhëheqësin e shumicës që të spjegojë qendrimin e tij ndaj një mësuesje të re të papunë, e cila tha zoti Obama, do të ndihmohet nga plani i tij.

“Zoti Kantor duhet të vijë në Dallas dhe të shikojë Kim Rusell në sy dhe ti thotë asaj se përse ajo nuk e meriton të kthehet në klasë, për të bërë atë që ajo dëshiron, mësojë fëmijët tanë. Hajde dhe tregoju nxënësve të saj se pse ata nuk e meritojnë të kenë mësuesen e tyre. Eja dhe tregoju punonjësve të ndërtimtarisë në Dallas se përse duhet të qendrojnë duarkryq në vend që të punojnë.”

Zoti Kantor tha të henën se motoja e presidentit, të gjitha ose asgjë, për promovimin e legjislacionit të punës është e paarsyeshme. Ai tha se masa nuk do të miratohet tërësisht dhe se Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë duhet të punojnë sëbashku në miratimin e pjesëve që të dyja palët mbështesin.

Po ashtu, republikanët kundërshtojnë propozimin e presidentit për të paguar për nismën e tij përmes rritjes së taksave për korporatat dhe individët e pasur.

Ndërkohë, trazirat politike për presidentin vazhdojnë. Një anketë nga kanali televiziv ABC News dhe gazeta Washington Post tregojnë se vetëm 37 përqind e amerikanëve presin që zoti Obama të rizgjidhet vitin që vjen. 55 përqind besojnë se kandidati republikan do të fitojë.

Vizita e zotit Obama në Teksas nuk kishte si objektiv vetëm zotin Kantor, por edhe guvernatorin e atij shteti, Rik Perri, një prej kandidatëve kryesor që kërkon emrimin e republikanëve për zgjedhjet e vitit 2012. Teksasi ka votuar fuqishëm për kandidatët republikan në zgjedhjet e fundit. Por demokratët po shpresojnë që shtimi i numrit të hispanikëve në atë shtet do të ndihmojë në reduktimin e disavantazhit të tyre.

Sikurse ka bërë edhe në udhëtime të tjera, presidenti përfshiu veprimtaritë politike për mbledhje fondesh në udhëtimin e së martës në Teksas dhe Mizuri.

XS
SM
MD
LG