Lidhje

Netanjahu: Ka ardhur koha për bisedime të drejtpërdrejta me palestinezët


Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha se ka ardhur koha për të filluar bisedime të drejtpërdrejta me palestinezët.

Ai tha se është e nevojshme të hapet një dialog i drejtpërdrejtë në mënyrë që të arrihet një zgjidhje politike për paqe.

Zoti Netanjahu i bëri komentet sot, pas takimit në Uashington me Presidentin Barak Obama. Zoti Obama tha se udhëheqësi izraelit kishte riafirmuar vullnetin e tij për t’u angazhuar në “negociata serioze” me palestinezët.

Zoti Obama tha në komentet për shtyp se ai dhe zoti Netanjahu kishin diskutuar gjithashtu mbi programin bërthamor të Iranit dhe mbi “përparimin” siç e cilësuan ata, që po shënon Izraeli në lejimin e një vëllimi më të madh ndihmash të futen në Gazën e kontrolluar nga Hamasi.

Të dy udhëheqësit u përpoqën të mos u kushtojnë vëmendje tensioneve të kohëve të fundit në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Vizita e fundit e udhëheqësit izraelit në Uashington në mars u zhvillua pak pas njoftimit të planeve izraelite për të ndërtuar 1, 600 njësi banimi në Jeruzalemin Lindor me popullsi kryesisht arabe.

Zyrtarët amerikanë e kritikuan Izraelin për këtë vendim, të ndërmarrë gjatë vizitës së nënpresidentit amerikan Xho Bajden në Izrael.

XS
SM
MD
LG