Lidhje

Presidenti Obama i bën thirrje Kongresit të miratojë reformën e imigracionit


Presidenti Obama i bën thirrje Kongresit të miratojë reformën e imigracionit
Presidenti Obama i bën thirrje Kongresit të miratojë reformën e imigracionit

Presidenti Barak Obama shkoi në El Paso të Teksasit me shpresë që të krijojë një fare balance lidhur me një prej çështjeve më të vështira të Amerikës.

"Shpesh ne jemi mbërthyer në debat rreth politikave se kush duhet lejuar dhe kush nuk duhet lejuar të vijë në vendin tonë".

Rreth 11 milion imigrantë banojnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara. Dhe presidenti po përpiqet t’i bindë republikanët e opozitës që të punojnë me të për të miratuar një ligj, që do të zgjidhte këtë problem.

Por republikanët citojnë një studim qeveritar, sipas të cilit pjesa më e madhe e kufirit SHBA-Meksikë është jashtë kontrollit. Ata thonë se nevojitet shtimi i sigurisë kufitare para se të miratohet reforma e imigracionit.

Presidenti Obama thotë se numri i agjentëve, që patrullojnë kufirin amerikan është dyfishuar që nga viti 2004 dhe konfiskimet e parave, armëve dhe drogave janë shtuar ndjeshëm.

Por presidenti i tha audiences në El Paso, se republikanët prapë nuk janë të kënaqur.

“Ndoshta ata duan një pellg, ndoshta ata duan krokodilë në pellg. Repulikanët nuk do të kënaqen kurrë. Dhe unë e kuptoj se kjo është thjeshtë politikë”.

Zoti Obama e pranoi se as mbështetësit e imigracionit nuk janë të kënaqur. Shumë udhëheqës hispanikë thonë se një numër i madh imigrantësh të paligjshëm deportohen, madje ata duan që presidenti të përdorë kompetencat e tij ekzekutive për të ngadalsuar këtë proces.

“Ata dëshirojnë që unë të anashkaloj Kongresin dhe të ndryshoj ligjin. Por gjërat nuk bëhen kështu në demokraci. Ne duhet të vazhdojmë përpjekjet për miratimin e një reforme të vërtetë gjithpërfshirëse”.

Plani i presidentit për reformën e imigracionit përbëhet nga 4 pjesë: Shtimi i mëtejshëm i masave të sigurisë në kufi, gjoba të rënda për bizneset që shfrytëzojnë punëtorët pa dokumenta, një kërkesë që immigrantët e paligjshëm të pranojnë se kanë shkelur ligjin, të paguajnë taksat, të paguajnë një gjobë, të mësojnë anglisht si dhe një formë që immigrantët e paligjshëm tashmë në Amerikë të marrin statusin e ligjshëm.

Presidenti Obama i bëri thirrje Kongresit që të shqyrtojë përsëri Aktin Ёndërra, një projekt-ligj për legalizimin e nxënësve dhe anëtarëve të ushtrisë, që janë sjellë në Shtetet e Bashkuara nga prindërit e tyre.

Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi këtë projekt-ligj vitin e kaluar, por ai u hodh poshtë nga Senati.

“Ne duhet të ndalim dënimin e të rinjve të pafajshëm për veprimet e prindërve të tyre. Ne nuk duhet t’u mohojmë atyre mundësinë për t’u arsimuar dhe për të shërbyer në ushtri. Kjo është arsyeja që ne duhet të miratojmë Aktin Endërra”.

Votat e hispanikëve do të jenë të rendësishme për presidentin Obama në zgjedhjet e vitit 2012. Në 2008-tën, zoti Obama fitoi 67 për qind të votave të hispanikëve.

Por mbështetja për presidentin mes votuesve hispanikë ka rënë, pjesërisht për shkak të politikave të tij të imigracionit.

Që kur zoti Obama humbi Teksasin në zgjedhjet e vitit 2008, numri i hispanikëve, që banojnë në atë shtet është shtuar ndjeshëm, duke ngjallur kështu shpresat e demokratëve për të fituar në këtë shtet në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012.

XS
SM
MD
LG