Lidhje

Presidenti Obama u bën thirrje amerikanëve të bashkohen pas incidentit të djeshëm tragjik në Tuson të Arizonës


Presidenti Obama u bën thirrje amerikanëve të bashkohen pas incidentit të djeshëm tragjik në Tuson të Arizonës
Presidenti Obama u bën thirrje amerikanëve të bashkohen pas incidentit të djeshëm tragjik në Tuson të Arizonës

Presidenti Barak Obama u ka bërë thirrje amerikanëve të bashkohen dhe të mbështesin njeri tjetrin pas incidentit të djeshëm tragjik në Tuson të Arizonës. Siç na njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, presidenti e karakterizoi sulmin si “një akt të urryer”.

Presidenti Obama bëri një deklaratë të shkurtër në Shtëpinë e Bardhë, disa orë pasi personi i armatosur hapi zjarr kundër kongresistes Gabrielë Gifords dhe disa dhjetra njerëzve të tjerë që ishin mbledhur rreth saj. Presidenti shpreu respektin e tij për ata që humbën jetën, përfshirë edhe një gjykatës.

"Mes tyre ishte edhe gjykatësi federal, Xhon Roll, i cili i shërbeu Amerikës në sistemin e drejtësisë për rreth 40 vjet, si dhe një vajzë e vogël që nuk i kishe mbushur ende 9 vjeç”.

Kongresistja 40-vjeçare Gifords është demokrate nga një shtet me shumicë të madhe republikane, e cila sapo filloi mandatin e saj të tretë në Kongres, vetëm disa ditë më parë. Presidenti Obama e vlerësoi shumë atë.

"Ajo nuk është vetëm një përfaqësuese e jashtëzakonshme në shërbim të publikut, por është gjithashtu një njeri i ngrohtë dhe i dashur. Ajo admirohet si nga kolegët ashtu edhe nga elektorati i saj”.

Presidenti u informua nga ekipi i tij i sigurisë kombëtare dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë pas ngjarjes. Ai i ka dhënë urdhër drejtorit të Byrosë Federale të Hetimeve të shkojë në vendin e ngjarjes për të udhëhequr hetimet.

"Një hetim i përgjithshëm ka filluar. Me urdhërin tim, drejtori Bob Muller është nisur për në Arizona për bashkërendimin e hetimeve. Unë kam biseduar gjithashtu me udhëheqësit demokratë dhe republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve”.

Sekretarja e Sigurimit Kombëtar, Xhenet Napolitano, ka qënë guvernatore e Arizonës. Guvernatorja e shtetit, republikanja Xhen Bruër, po ashtu e quajti kongresisten Gifords mikeshë të saj dhe dha urdhër që flamuri i shtetit të ulet në gjysmë shtizë për të nderuar të vrarët.

Presidenti Obama tentoi, por pa sukses, të kontaktonte të shoqin e kongresistes Gifords, astronautin Mark Kelli, i cili ishte nisur për në Tuson. Zoti Obama ishte kryesori mes udhëheqësve politikë nga të dy partitë që shprehu indinjatë ndaj sulmit dhe u bëri thirrje amerikanëve të luten dhe të shprehin mbështetjen e tyre për familjet e viktimave.

"Në kohë tragjedish, amerikanët bashkohen dhe mbështesin njeri tjetrin. Prandaj, në këto momente të vështira u bëj thirrje të gjithë amerikanëve të bashkohen me mua dhe Mishellën të mendojmë dhe të lutemi për gjitha viktimat dhe familjet e tyre, përfshirë Gabin”.

Presidenti Obama u premtoi amerikanëve se administrata e tij do ta “hetojë deri në fund” incidentin dhe amerikanët do ta kapërcejnë këtë dhimbje.

XS
SM
MD
LG