Lidhje

Presidenti Obama: Jam optimist për Vitin e Ri 2012


Presidenti Obama: Jam optimist për Vitin e Ri 2012
Presidenti Obama: Jam optimist për Vitin e Ri 2012

Presidenti Barack Obama shprehet optimist se Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje të forcojnë ekonominë dhe të krijojnë vende të reja pune gjatë vitit të ri. Presidenti tha se ka një optimizëm të ri nga vota e fundit në Kongres për të parandaluar rritjen e taksave mbi pagat dhe për zgjatjen e ndihmave sociale për të papunët:

Në fjalimin e fundit të përjavshëm për vitin 2011, Presidenti Obama tha dje se viti që kaloi ishte një vit ndryshimesh të mëdha dhe përparimi:

"Mbyllëm një luftë dhe filluam procesin e mbylljes së tjetrës. I dhamë një goditje dërrmuese al-Kaidës dhe e bëmë Amerikën më të sigurtë. U qëndruam në krah aleatëve dhe miqve tanë në botë në momente katastrofash dhe revolucionesh. Filluam të shohim gjithashtu rimëkëmbje ekonomike në vend, megjithëse shumë amerikanë ende ndeshen me vështirësi”.

Zoti Obama përgëzoi demokratët dhe republikanët në Kongres për bashkëpunimin mes tyre për të miratuar një zgjatje 2 mujore për shkurtimet e taksave mbi pagat dhe për përfitimet për të papunët.

Presidenti e cilësoi këtë arritje si meritë e amerikanëve që kontaktuan Kongresin në mbështetje të masave dhe u bëri thirrje ligjvënësve të miratojnë një zgjatje një vjetore për shkurtimet mbi taksat, kur të kthehen në Uashington në janar.

"Pres nga Kongresi të përfundojnë punën duke zgjatur këto shkurtime taksash deri në fund të vitit 2012. Ishte pozitive që anëtarët e Kongresit morën hapin e duhur për miliona amerikanë, por kjo u arrit vetëm pasi vetë amerikanët ngritën zërin e tyre dhe iu bashkuan debatit”.

Zoti Obama e regjistroi mesazhin e tij të javës në Havai ku ndodhet me pushime së bashku me familjen. Presidenti tha se objektivi kryesor i vitit të ri është për një sistem ekonomik amerikan më të drejtë për klasën e mesme. Pritet që ky të jetë një ndër mesazhet kryesore që do të shoqërojnë fushatën e presidentit për zgjedhjet e vitit 2012.

"Si president, unë premtoj të bëj çdo gjë që kam në dorë për ta bërë Amerikën një vend ku puna e palodhur dhe e përgjegjshme të shpërblehet, ku çdokush ka shanse të drejta dhe çdokush bën atë që i takon. Kjo ka qenë Amerika që kemi njohur gjithmonë”.

Në fjalimin javor të republikanëve, Senatori Johnny Isakson nga shteti Xhorxhia tha se prioriteti kryesor i partisë së tij për vitin e ri është t’ua lehtësojë bizneseve të vogla mundësinë për të hapur vende të reja pune. Ai tha se republikanët do ta realizojnë këtë duke ulur taksat, duke thjeshtëzuar rregulloret dhe përmes sigurisë energjetike.

Presidenti Obama e vonoi të premten dërgimin e një kërkese në Kongres për rritjen e tavanit të borxhit, që përfaqëson shumën e ligjshme të parave që mund të marrë borxh qeveria amerikane.

Zoti Obama u dha ligjvënësve të të dyja partive më shumë kohë për të hedhur në votë një ligj përgjithësisht simbolik, që u jep mundësi disa ligjvënësve të kundërshtojnë idenë e rritjes së tavanit të borxhit. Rritja e propozuar prej 1.2 trilionë dollarësh pritet të marrë miratim në Kongres, megjithë kundështimet nga disa anëtarë.

XS
SM
MD
LG