Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i bëri thirrje të mërkurën parlamentit të vendit që të miratojë një rezolutë më të cilin do t’i ndalonte kryeministrit Avdullah Hoti të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror.
Kërkesa e tij u bë në prag të takimit të radhës të grupeve të ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë më 17 shtator në Bruksel, ku është paralajmëruar mundësia të diskutohet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe çështja e pronave.
Nëpërmjet një komunikate, zyra e presidentit të vendit tha se hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në bisedimet e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i qeverisë së Kosovës.
Edhe mbrëmë, presidenti Thaçi në një konferencë për media tha se takimi i paralajmëruar i së enjtes në Bruksel për çështje teknike është i rrezikshëm për shtetin e Kosovës.
“Këtë të drejtë nuk e ka askush as të ulet të diskutojë as të negociojë e lërë të pretendojë të arrijë ndonjë marrëveshje të re për Asociacionin. Gjithçka ka përfunduar në vitin 2013 dhe me opinionin e Gjykatës Kushtetuese që gjithçka që mund të realizohet, mund të realizohet në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kështu që takimi i së enjtes është i rrezikshëm për shtetin e Kosovës dhe është agjendë e Serbisë”, tha ai.
Por, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha sot se të enjten në Bruksel nuk do të diskutohet për Asociacionin dhe nuk është një ditë e rrezikshme për vendin.
"Nesër në Bruksel nuk diskutohet për Asociacionin, nesër ditë e enjte nuk është ditë e rrezikshme për Kosovën, nesër është një ditë e zakonshme ku kryeministri i vendit raporton para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kaq",tha Hoti.
Ai tha se marrëveshja e vitit 2013 për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një detyrim ndërkombëtar që Kosova duhet ta përmbushë por sipas tij nuk do të ketë një Asociacion me kompetenca ekzekutive
“Është një gur, një pengesë që është vendosur në vitin 2013, është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës dhe është bërë akt i kryer edhe duhet të merremi edhe me atë por jemi duke u marr në mënyrë shumë sistematike, duke mos shkaktuar asnjë lloj rreziku për shtetësinë e Kosovës sepse nuk jemi duke hapur marrëveshjen e Asociacionit pra nuk diskutojmë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe respektojmë obligimin kushtetues që ka shteti i Kosovës për këtë asociacion, në bazë të marrëveshjes së vitit 2013, marrëveshjes së parimeve dhe të opinionit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me marrëveshjen e parimeve”, tha kryeministri Hoti.
Marrëveshja për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe vazhdimisht nxitur tensione në Kosovë për shkak të kundërshtimeve të forta ndaj saj dhe rrezikut që sipas partive politike paraqet një asociacion i tillë.
Autoritetet në Prishtinë thonë se komunat mund të ndihmojnë njëra tjetrën në fushat e shëndetësisë, arsimit, zhvillimit ekonomik e të ngjashme. Serbia kërkon që ky mekanizëm të krijohet sipas marrëveshjes së arritur në vitin 2015, që parasheh përgjegjësi të gjera në disa fusha, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje të shumta në marrëveshje dhe sipas opinionit të saj, asociacioni mund të krijohet vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Serbia kërkon ndryshime në Kushtetutën e Kosovës për të mundësuar kalimin e më shumë përgjegjësive ekzekutive tek asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Por, Kosova kundërshton çdo ndryshim që do t’i mundësonte përgjegjesi ekzekutive një asociacioni të tillë.
Kosova e Serbia janë përfshirë në bisedime që nga viti 2011 për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve. Prishtina ngul këmbë që kjo marrëveshje të çojë në njohje të ndërsjellë.
“Ose ka me mbaruar kjo marrëveshje me njohje reciproke mbi bazën e parimeve ndërkombëtare të drejtës ndërkombëtare dhe me konsolidu shtetësinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare ose nuk ka marrëveshje ose unë nuk jam kryeministër do të thotë këto janë opsionet, tjera nuk ka”, tha kryeministri Hoti.
Më 4 shtator, Kosova dhe Serbia u dakorduan në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet tyre. Të dyja vendet tash janë përfshirë në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Facebook Forum