Lidhje

Presidenti Trump akuzon demokratët se dëshirojnë dështimin me koronavirusin


Presidenti Trump flet me gazetarët përpara nisjes
Presidenti Trump flet me gazetarët përpara nisjes

Presidenti Donald Trump akuzoi të martën demokratët se dëshirojnë që administrata e tij të dështojë në përgjigjen e saj ndaj pandemisë së koronavirusit, duke ushqyer kështu debatin partiak pa dhënë prova për të mbështetur pohimin e tij.

Para se të shkonte për të vizituar një fabrikë për prodhimin e maskave në Arizona, Presidenti Trump u pyet nga një korrespondent i akredituar pranë Shtëpisë së Bardhë përse ai do të lejojë që zyrtari i lartë i shëndetësisë Anthony Fauci të dëshmojë para një komisioni të Senatit, me shumicë republikane, por jo në Dhomën e Përfaqësuesve me shumicë demokrate.

"Sepse Dhoma e Përfaqësuesve është një kurth. Dhoma e Përfaqësuesve është një tufë njerëzish që urrejnë Trump-in", u përgjigj presidenti republikan. "Ata, sinqerisht, duan që situata jonë të jetë e pasuksesshme, që do të thotë vdekje, që do të thotë vdekje. Dhe situata jonë do të jetë shumë e suksesshme".

Presidenti Trump përpara hipjes në Air Force One
Presidenti Trump përpara hipjes në Air Force One

Presidenti Trump, i cili po kërkon rizgjedhjen në nëntor, gjithashtu tha se demokratët "duan që ne të dështojmë në mënyrë që ata të fitojnë një palë zgjedhje, të cilat ata nuk do t'i fitojnë".

Arizona, një shtet kyç që mund të vendosë rezultatin e zgjedhjeve, është një nga dhjetëra shtetet amerikane që po heqin pjesërisht ndalimet ndaj jetës shoqërore dhe biznesit të imponuara për të frenuar pandeminë e koronavirusit.

Qindra protestues u mblodhën në Phoenix, Arizona, dy javë më parë duke i bërë thirrje Guvernatorit republikan Doug Ducey për të lehtësuar kufizimet në këtë shtet. Shumë prej protestuesve tundnin flamuj amerikanë dhe mbanin kapele dhe këmisha në mbështetje të Presidentit Trump.

Të hënën, Instituti i Universitetit të Uashingtonit për Parametrat Shëndetësorë dhe Vlerësimin (IHME) parashikoi që vdekjet e COVID-19 në Shtetet e Bashkuara mund të arrinin në rreth 135.000 deri në fillim të gushtit pasi të jenë lehtësuar masat për distancimin fizik - dyfishin e parashikimit të mëparshëm të po këtij modeli.

Koronavirusi i ri tashmë dihet se ka infektuar pothuajse 1.2 milion njerëz në Shtetet e Bashkuara, ndër ta të paktën 70.000 të cilët kanë vdekur nga COVID-19, sëmundja e frymëmarrjes që shkakton virusi, sipas një raporti të agjensisë së lajmeve Reuters.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG