Lidhje

Presidenti Trump dhe Joe Biden me pikëpamje krejt të ndryshme për zjarret


Një zjarrfikëse kalon përmes flakëve në distriktin Fresno, Kaliforni
Një zjarrfikëse kalon përmes flakëve në distriktin Fresno, Kaliforni

WILMINGTON, DELAWARE – Nga cepat më të largët të vendit, Presidenti Donald Trump dhe sfiduesi i tij demokrat Joe Biden paraqitën pikëpamje shumë të ndryshme të hënën për shkaqet e zjarreve historike shkatërrimtare në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë vrarë të paktën 35 persona.

Nga Kalifornia, Presidenti Trump hodhi poshtë shqetësimet se ndryshimet klimatike janë katalizatori për numrin në rritje dhe intensitetin e zjarreve dhe përsëriti thirrjen e tij për shtetet në perëndim të Shteteve të Bashkuara që të ushtrojnë një menaxhim më të mirë të pyjeve.

“Kur pemët bien pas një periudhe të shkurtër bëhen shumë të thata, si shkrepëse”, tha Presidenti Trump sapo mbërriti në Kaliforni. “Dhe mund të shpërthejnë (në zjarr). Po kështu edhe gjethet. Kur ka gjethe të thata në tokë, janë si karburant për zjarrin”.

“Mohimi i klimës” nga Presidenti Trump nuk shkaktoi zjarret, tha zoti Biden nga shteti i tij Delaware. Por, nëse presidenti merr një mandat të dytë, “këto ngjarje të ferrit do të vazhdojnë të bëhen gjithnjë e më të pranishme, më shkatërruese dhe më vdekjeprurëse”.

Kandidati demokrat duke folur për ndryshimet klimatike dhe zjarret (14 shtator 2020)
Kandidati demokrat duke folur për ndryshimet klimatike dhe zjarret (14 shtator 2020)

Duke folur në mjedise të jashtme me një fushë gruri në sfond, më pak se 50 ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, zoti Biden shtoi se, "Nëse i jepni një zjarrvënësi të klimës edhe katër vjet në Shtëpinë e Bardhë, përse do të habitej ndokush nëse kemi më shumë pjesë të Amerikës në flakë?”.

Ish-nënpresidenti tha se qasja e Presidentit Trump është të injorojë faktet dhe "të mohojë realitetin", duke e quajtur këtë një dorëzim të plotë ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike.

Mes rrezikut të vërtetë, kjo është gjithashtu koha e mundësive të jashtëzakonshme, tha zoti Biden, duke shtuar se si president ai do të ndërmerrte "veprime urgjente" për të luftuar ngrohjen globale.

Presidenti Trump ka qëndruar kryesisht i heshtur për shkatërrimet e përhapura në tre shtete demokrate – Kaliforni, Oregon dhe Uashington - ku më shumë se një milion hektarë tokë janë djegur.

Ndër ata që informuan Presidentin Trump në Kaliforni të hënën ishte guvernatori demokrat Gavin Newsom, një kritik i fortë i presidentit.

Presidenti Trump duke dëgjuar gjatë një seance informimi në McClellan Park, Kaliforni (14 shtator 2020)
Presidenti Trump duke dëgjuar gjatë një seance informimi në McClellan Park, Kaliforni (14 shtator 2020)

Zoti Newsom vuri në dukje se 56% e tokës në Kaliforni është në pronësi federale, kështu që qeveria federale ka një përgjegjësi të madhe në përmirësimin e menaxhimit të pyjeve së bashku me shtetin.

"Është një problem i madh dhe do të zgjidhet", tha presidenti.

Zoti Newsom i tha Presidentit Trump se, "Ne ndjejmë me siguri se i nxehti po bëhet më i nxehtë, dhe thatësirat po bëhen më të thata. Diçka ka ndodhur me sistemin hidraulik të botës dhe ne vijmë nga një perspektivë, me përulësi, që të pohojmë konkluzionin shkencor se ndryshimi klimatik është i vërtetë. Ju lutemi të respektoni ndryshimin e mendimeve këtu në lidhje me çështjen themelore të ndryshimeve klimatike".

Guvernatori Newsom gjatë seancës së informimit me Presidentin Trump (14 shtator 2020)
Guvernatori Newsom gjatë seancës së informimit me Presidentin Trump (14 shtator 2020)

Presidenti Trump u përgjigj, "Absolutisht".

Presidenti, megjithatë, parashikoi gjithashtu se klima "do të fillojë të bëhet më e ftohtë".

"Vetëm shikojeni. Unë mendoj se shkenca nuk e di me të vërtetë".

Presidenti Trump shpesh ka vënë në dyshim shkencën e ndryshimit të klimës, duke fajësuar menaxhimin e dobët të pyjeve për përhapjen e zjarreve dhe intensitetin e tyre. Vizita e tij në Kaliforni, ku sondazhet tregojnë se shumica e votuesve kundërshtojnë ashpër rizgjedhjen e tij, i dha presidentit një mundësi për të ofruar simpati për viktimat e zjarreve dhe për të theksuar ndihmën federale kundër zjarreve që ai ka aprovuar.

“Ne u themi Zoti ju bekoftë atyre që humbën jetën në këtë zjarr të rëndë. Ne po u tregojmë dhe po u japim mbështetje njerëzve të Kalifornisë”, tha Presidenti Trump.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Trump ka dërguar më shumë se 26’000 punonjës federalë dhe 230 helikopterë për të luftuar zjarret.

Presidenti Trump duke dhënë medaljen (14 shtator 2020)
Presidenti Trump duke dhënë medaljen (14 shtator 2020)

Presidenti Trump gjithashtu drejtoi të hënën një ceremoni për të dekoruar shtatë anëtarë të ekuipazhit të një helikopteri të Gardës Kombëtare të Kalifornisë, me Kryqin e Dalluar të Fluturimit për shpëtimin e qindra personave të bllokuar në kampe të rrethuar nga zjarret.

Tymi dhe flakët që kanë qarkuar qytetet San Francisko, Siatëll dhe Portland kanë sjellë ajrin me ndotje nga më të lartat në botë.

Retë masive të tymit që mbulojnë rajonin rrezikojnë shëndetin e miliona banorëve.

Cilësia e ajrit në të gjithë shtetin veriperëndimor të Oregonit u karakterizua nga zyrtarët e mjedisit shtetëror si "e rrezikshme" ose "shumë e pashëndetshme".

Dhjetëra mijëra njerëz kanë braktisur shtëpitë e tyre.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, dukshmëria ka qenë më pak se gjysmë kilometri në disa vende, , duke e bërë të rrezikshme ngarjen e makinës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG