Lidhje

Presidenti Trump fitues në Karolinën e Veriut


Gjatë punës në zyrën zgjedhore në Charlotte, Karolina e Veriut

RALEIGH, KAROLINA E VERIUT - Presidenti Donald Trump ka fituar shtetin e betejës elektorale, Karolina e Veriut, përballë kandidatit demokrat Joe Biden.

Presidenti Trump bëri fushatë agresive në Karolinën e Veriut me tubime me pjesëmarrje fizike në kulmin e pandemisë së koronavirusit, siç ishin takimet në Fayetteville, Winston-Salem dhe Greenville. Zoti Biden përgjithësisht shmangu fushatën fizike elektorale dhe nuk e vizitoi personalisht këtë shtet në 16 ditët e fundit para zgjedhjeve.

Presidenti Trump gjatë një tubimi në Karolinën e Veriut
Presidenti Trump gjatë një tubimi në Karolinën e Veriut

Guvernatori demokrat Roy Cooper pati rezultate shumë më të mira se zoti Biden, duke fituar garën e tij kundër Guvernatorit të Përgjithshëm republikan Dan Forest natën e zgjedhjeve të 3 nëntorit, me më shumë se 4 pikë përqindje.

Ekipi elektoral i zotit Biden shpresonte që numërimi i deri në 116'000 fletëvotimeve me postë në ditët e mëvonshme do të zhvendoste balancën në favor të tij, por nuk arriti t'ia kalojë Presidentit Trump. Sidoqoftë, me fitoren e zotit Biden në Pensilvani, ai i kaloi 270 votat elektorale të nevojshme për të fituar zgjedhjet presidenciale. Fitorja e Presidentit Trump në Karolinën e Veriut i jep atij 15 vota elektorale, duke ulur disavantazhin e tij në 290-232.

Zoti Biden ruan një avantazh të lehtë në Xhorxhia, shtet me 16 vota elektorale. Gara mbetet shumë e ngushtë për të shpallur fituesin dhe po zhvillohet rinumërim.

Ish-Nënpresidenti Biden shpesh kritikoi menaxhimin e krizës së koronavirusit nga Presidenti Trump dhe vendimin e tij për të mbajtur tubime fizike me pjesëmarrës që mbanin maskën shumë pak. Presidenti Trump u përpoq të bindte votuesit se ai do të ishte më i përgatituri për të rikthyer ekonominë në forcën e saj të periudhës përpara pandemisë.

Presidenti Trump e fitoi Karolinën e Veriut në vitin 2016 përballë kandidates së atëhershme demokrate Hillary Clinton. Ish-Presidenti Barack Obama ishte demokrati i fundit që fitoi garën presidenciale në Karolinën e Veriut, në vitin 2008.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG