Lidhje

Presidenti Trump në Florida dhe Karolinën e Veriut; Joe Biden paraqet reklamën e re elektorale


Presidenti Trump në Jupiter, Florida (8 shtator 2020)

Presidenti amerikan Donald Trump po viziton të martën dy shtete kyçe për betejën elektorale - Floridan dhe Karolinën e Veriut, ndërsa ish-Nënpresidenti Joe Biden paraqiti reklamat e reja të fushatës që transmetohen në shtetet me rëndësi për rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Presidenti Trump mbajti një fjalim në një tubim pasdite në qyteti Jupiter, në pjesën jugore të shtetit Florida dhe në vazhdim vizitoi qytetin Winston-Salem, në Karolinën e Veriut, për një tubim në mbrëmje.

Presidenti Trump duke folur për mjedisin përpara Fanarit dhe Muzeumit në Jupiter, Florida (8 shtator 2020)
Presidenti Trump duke folur për mjedisin përpara Fanarit dhe Muzeumit në Jupiter, Florida (8 shtator 2020)

Presidenti Trump fitoi si në Florida ashtu edhe në Karolinën e Veriut në zgjedhjet 2016, por sondazhet në të dy shtetet e tregojnë atë duke ndjekur nga afër zotin Biden. Një humbje e Presidentit Trump në secilin shtet do të kufizonte ndjeshëm shanset e tij për të fituar një mandat të dytë.

Para se të nisej të martën, Presidenti Trump tha se fushata e tij po shkon "shumë mirë", duke shtuar se shifrat e sondazheve që ai ka parë ishin "shumë të mira". Ai gjithashtu trajtoi temën e dhunës në rrugë të lidhur me protestat ndaj padrejtësisë racore në disa qytete të Shteteve të Bashkuara, duke thënë se zoti Biden "nuk ka forcën" dhe "aftësinë mendore për të kontrolluar" situatën.

Fushata e zotit Biden debutoi një reklamë të re 60 sekondëshe në shtetet e betejës elektorale, ku përpiqet të përshkruhet gara presidenciale si një zgjedhje midis "errësirës" së mandatit Trump dhe mundësisë së një "fillimi të ri".

Ish-Nënpresidenti Joe Biden në Wilmington (8 shtator 2020)
Ish-Nënpresidenti Joe Biden në Wilmington (8 shtator 2020)

"Ky është shansi ynë për të lënë errësirën e katër viteve të kaluara prapa nesh, për t'i dhënë fund zemërimit, fyerjeve, ndarjeve, dhunës dhe për t'ia filluar nga e para në Amerikë", thotë zëri përshkrues kur hapet reklama. "Ne mund të ndalojmë së përqendruari tek një president që mendon se gjithçka ka të bëjë me të dhe të fillojmë të përqendrohemi në atë që është më e mira për ne."

Fushata e zotit Biden tha se reklama është pjesë e një blerjeje kohe reklamash prej 47 milionë dollarësh këtë javë në transmetimet dhe platformat dixhitale në shtetet e betejës elektorale, duke përfshirë Arizonan, Floridan, Miçiganin, Minesotan, Nevadan, Karolinën e Veriut, Ohajon, Pensilvaninë dhe Uiskonsin.

Fokusi nga Presidenti Trump dhe zoti Biden në shtete specifike të ndara politikisht është një funksion i mënyrës se si përcaktohet rezultati i zgjedhjeve presidenciale amerikane, përmes Kolegjit Zgjedhor dhe jo një vote popullore kombëtare.

Kandidati demokrat Joe Biden duke folur në Pittsburgh (8 shtator 2020)
Kandidati demokrat Joe Biden duke folur në Pittsburgh (8 shtator 2020)

Zoti Biden, ruan prej muajsh epërsinë e tij ndaj Presidentit Trump në sondazhet kombëtare, me rreth 7 pikë përqindje, edhe pse epërsia e tij në shtetet e betejës elektorale është më e ngushtë.

Në Shtetet e Bashkuara përcaktohet presidenca përmes një forme indirekte të demokracisë, ku fituesi në secilin shtet merr të gjitha votat elektorale të atij shteti. Numri i votave elektorale të secilit shtet bazohet tek popullsia e tij.

Presidentët e ardhshëm duhet të fitojnë të paktën 270 nga 538 vota elektorale. Shtetet më të populluara - Kalifornia e kontrolluar nga demokratët me 55 vota dhe Teksasi i mbizotëruar nga Republikanët me 38 - kanë ndikimin më të madh. Shtatë shtete dhe kryeqyteti kombëtar, Uashington, kanë më pak vota elektorale, nga tre secili.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG