Lidhje

Presidenti Trump përshëndet progresin për vaksinën


Presidenti Donald Trump përshëndeti të premten progresin drejt një vaksine efikase kundër koronavirusit, në fjalën e tij të parë publike pas gjashtë ditësh, që kur mediat projektuan ish-Nënpresidentin Joe Biden si fitues të zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Presidenti Trump, i cili ka refuzuar të pranojë humbjen, foli nga Kopshti i Trëndafilave i Shtëpisë së Bardhë, por nuk pranoi pyetje nga gazetarët.

Ai e quajti punën për vaksinën mobilizimin më të madh në historinë amerikane të prodhimit të vaksinave, duke vënë në dukje se zakonisht duhen mbi tetë vjet për të prodhuar një vaksinë efikase.

Të hënën, gjigandi farmaceutik Pfizer njoftoi se kishte krijuar një vaksinë që ishte 90% efektive kundër koronavirusit, duke e shtyrë kështu Presidentin Trump të postonte në Twitter: "LAJME KAQ TË MREKULLUESHME". Vaksinës kandidate i duhet ende të përmbyllë testimin dhe të marrë aprovimin nga Administrata amerikane e Barnave dhe Ushqimit.

Në fjalën e tij, Presidenti Trump për herë të parë pranoi pasigurinë në lidhje me administratën e ardhshme, duke thënë se administrata e tij nuk do të urdhërojë një izolim tjetër "në asnjë rrethanë", por duke sugjeruar se zoti Biden do ta urdhërojë një të tillë nëse ai do të jetë në pushtet.

"Shpresojmë se çfarëdo që të ndodhë në të ardhmen, kush e di se cila administratë do të jetë, unë mendoj se koha do ta tregojë, por unë mund t'ju them se kjo administratë nuk do të shkojë drejt izolimit", tha Presidenti Trump.

Zoti Biden ende nuk ka thënë nëse do të urdhërojë një izolim për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit.

Zoti Biden tha në një deklaratë të premten se ai u takua me anëtarët e Bordit të tij Këshillimor për COVID-19, të cilët paraqitën fakte "alarmante" në lidhje me "përshpejtimin e krizës së shëndetit publik".

"Vendi ynë po përjeton rritje të infeksioneve të raportuara, shtrime në spitale dhe viktima në të gjithë vendin, duke mos kursyer praktikisht askënd", tha ai.

Zoti Biden shtoi se "lajmet e kësaj jave mbi progresin drejt një vaksine të sigurt dhe efektive për COVID-19 janë pozitive, por do të kalojnë shumë muaj para se të ketë vaksinim të përhapur në këtë vend".

Koronavirusi ka vrarë më shumë se 243,000 amerikanë. Rastet janë rritur kohët e fundit në të gjithë vendin me gjithsej 100'000 raste të reja ditore të konfirmuara përgjatë pjesës më të madhe të javës.

Presidenti Trump ka bërë vetëm një paraqitje tjetër publike që kur media projektoi zotin Biden fitues të zgjedhjeve presidenciale. Të mërkurën, ai shkoi në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit për të shënuar Ditën e Veteranëve, por nuk mbajti fjalim.

Presidenti ka refuzuar ta pranojë rezultatin, duke përmendur parregullsi në disa shtete të lëkundshme. Në një shtet të betejës elektorale, Xhorxhia, po rinumërohen votat me dorë dhe presidenti ka ngritur padi në disa shtete të tjera edhe pse asnjë deri më tani nuk mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG