Lidhje

Presidenti Trump, Samiti i Hanoit dhe dëshmia e ish-avokatit të tij


Presidenti Trump duke u kthyer në Shtëpinë e Bardhë pas bisedimeve në Hanoi
Presidenti Trump duke u kthyer në Shtëpinë e Bardhë pas bisedimeve në Hanoi

Nga çdo pikëpamje, java që po mbyllet ishte një tjetër sprovë e pazakontë për presidencën e zotit Donald Trump. Ai nuk e realizoi dot shpresën për të arritur një marrëveshje të madhe bërthamore në takimin që pati në Hanoi me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un. Por përpjekjet e Presidentit Trump në Vietnam u mjegulluan mjaft nga dëshmia që dha para Kongresit ish-avokati i tij personal Michael Cohen, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone.

Zhgënjim në Hanoi. Takimi midis Presidentit Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un nuk arriti të përmbushë pritshmëritë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut.

"Kim Jong Un ka një vizion të caktuar që nuk është saktësisht vizioni ynë, por jemi shumë më afër se një vit më parë. Dhe unë mendoj se përfundimisht do ta arrijmë qëllimin. Por në këtë rast, ne vendosëm të largoheshim nga bisedimet, tha Presidenti Trump.

Ndërkaq, në anën tjetër të botës, në Uashington, një tjetër dramë po luhej në Kongres, në një seancë dëgjimore me pasoja ndoshta ogurzeza për presidentin.

Ish-avokati personal i presidentit lëshoi një seri akuzash mbi ish-shefin e tij përpara një audience televizive kombëtare.

Zoti Cohen akuzoi presidentin për shkelje penale dhe e përshkroi atë me ngjyra të errëta:

"Sepse e dini kush është zoti Trump? Ai është racist. Është një manipulues, një mashtrues,", tha ish-avokati.

Presidenti Trump i ka mohuar akuzat e zotit Cohen ndërkohë që republikanët e quajtën ish-avokatin gënjeshtar të provuar dhe akuzuan demokratët se po e përdornin dëshminë e tij për t’i hapur rrugën fillimit të procedurës për shkarkimin e presidentit.

"Kjo është një përpjekje për të dëmtuar presidentin tonë dhe për të hedhur bazat për një procedurë të ardhshme të shkarkimit të tij, tha Clay Higgins, anëtar republikan i Kongresit.

Por, dëmi politik dhe ligjor i bërë nga dëshmia e zotit Cohen mund të jetë shumë më i madh, thotë analisti Randy Zelin:

"Michael Cohen nuk është dëshmitar i mirë, por është dëshmitari më i rëndësishëm, sepse ka i ka parë vetë gjërat”.

Për presidentin, kjo seancë ishte një shpërqendrim i madh nga përpjekjet e tij të politikës së jashtme.

"Mendoj se një seancë e rreme si kjo dhe që vjen në mes të këtij samiti shumë të rëndësishëm është vërtetë diçka e tmerrshme", u shpreh Presidenti Trump.

I ndodhur në vështirësi nga rezultatet e ulëta të anketave dhe nga hetimet, Presidenti Trump shpresonte për një sukses me Korenë e Veriut për t’i dhënë vetes një shtytje politikisht, thotë David Kim, i Qendrës "Stimson":

"Ai dëshiron një fitore. Kjo është e vetmja arritje diplomatike që mund të pretendojë tani. Ne po tërhiqemi nga Siria. Po tërhiqemi nga Afganistani. Kemi marrëdhënie të këqija me miqtë tanë në NATO".

Mungesa e përparimit me Korenë e Veriut, shtuar kësaj akuzat e ngritura nga ish-avokati personal Cohen, vijnë në një kohë kur presidenti po përgatitet për një betejë të vështirë për rizgjedhje, thotë analisti John Fortier, i Qendrës së Politikave Dypartiake:

"Ai është ende në nivelin 43 ose 44 për qind në anketat e publikut. Nuk është një shifër e tmerrshme, por ndoshta jo dhe aq e lartë nga ç’do të dëshironte ai për të shkuar në zgjedhje.

Për presidentin, ka edhe sfida të tjera për të ardhmen e afërt, duke përfshirë raportin e shumëpritur për hetimin mbi Rusinë, që drejtohet nga prokurori i posaçëm, Robert Mueller.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG