Lidhje

Presidentja Jahjaga viziton kishën e Nolit në Boston


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga vizitoi dje Kishën e Shën Gjergjit në Boston, ku u prit nga komuniteti shqiptar në Masaçusets. Zonja Jahjaga ndodhet në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të grave udhëheqëse që fillon në Nju Jork më 8 mars.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e vizitoi Kishën e Shën Gjergjit në Boston me kërkesën e saj, për emrin që ky institucion ka mes shqiptarëve të Amerikës.

Presidentja Jahjaga u prit nga Kancelari i kishës së Shën Gjergjit, At Artur Liolin, një personalitet i njohur në komunitetin shqiptar të Bostonit dhe të Amerikës si dhe nga Peshkopi Nikon, një ndër përfaqësuesit e ortodoksisë në pjesën verilindore të Shteteve të Bashkuara.

Dekadën e fundit, komunitetit të shqiptarëve të Bostonit i janë shtuar shumë shqiptarë nga Kosova, të cilët në pritjen për Presidenten Jahjaga përfaqësoheshin edhe nga tri vajza të veshura me kostume popullore.

Presidentja mori pjesë në meshën e së dielës që u mbajt në këtë kishë historike për shqiptarët.

At Arthur Liolin i uroi asaj mirëseardhjen, duke përkujtuar traditën e kësaj kishe të themeluar nga Fan Noli:

“Zonja Presidente, jemi tepër të nderuar dhe të gëzuar për ardhjen tuaj në Boston, në veçanti në katedralen tonë ku Imzot Fan Stilian Noli predikonte që në fillim të shekullit të 20 për të drejtat e popullit tonë kudo që jeton. Për Nolin, sytë e tij nuk shikonin ndryshim mes Korçës dhe Kosovës.”

Presidentja Jahjaga e quajti Kishën e Shën Gjergjit pjesë të gjithë historisë shqiptare:

“Jam e nderuar që po marr pjesë në këtë meshë solemne në Kishën Ortodokse Shqiptare, këtu në Boston, në këtë Kishë e cila është pjesë e historisë sonë të lavdishme.Në këtë vend të shenjtë të nderimit të zotit Tonë, të lutjeve për atdheun, për familjet tona, për mirëqenien, për begatinë dhe për bukën tonë të përditshme.”

Presidentja Jahjaga falenderoi komunitetin shqiptar të Amerikës për ndihmën e dhënë për pavarësinë e Kosovës. Pa këtë ndihmë, pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara, rruga e Kosovës do të ishte shumë e vështirë dhe e mundimshme, tha zonja Jahjaga.

Ajo bëri thirrje që të rinjtë shqiptarë në Amerikë të japin kontribut për Kosovën.

“Kosova ju mirëpret si vend me vlera demokratike dhe me një sistem që garanton potenciale zhvillimi. Kosova ju mirëpret me zemër të hapur, ta vizitoni, të shkolloheni, të lidhni miqësi. Ta përjetoni nga afër Kosovën, dhe t’i bartni këtu emocionet nga Kosova. Zoti e bekoftë Kosovën. Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Donacionet e kësaj të diele në Kishë do të përdoren për një qëllim humanitar. Do të ndihmohet një djalë nga Kosova, siç njoftoi At Liolini:

“Të gjithë jemi kryelartë edhe sot me bujarinë tuaj për të ndihmuar një djalosh 10-vjeçar nga Kosova, Genti Spahia, i cili është në Boston duke u kuruar nga kanceri. Ndihma juaj do të jetë mirënjohëse për të dhe për familjen e tij.”

Zonja Jahjaga pati një takim të përzemërt me pjesmarrësit në meshë dhe u njoh me familjet shqiptare të Bostonit që e kanë kishën e Nolit si një vatër të madhe ku mblidhen të dielave dhe në raste të tjera.

“Presidentja kërkoi vetë që të vizitonte Kishën e Fan Nolit në shenjë respekti për çfarë ka realizuar Fan Noli vetë në kulturën, në historinë e Shqipërisë, kisha, komuniteti këtu. Ajo duket të ketë edhe një interes shumë të madh nga ana personale për Kishën, për institucionin, që është një gjë shumë me rëndësi,” thotë Stefan Koçi, Konsull nderi i Shqipërisë në Boston.

Presidentja bëri pastaj një vizitë në Forest Hill, ku ndodhen varret e dy udhëheqësve historikë të komunitetit shqiptar të Amerikës, Fan Noli dhe Faik Konica.

Presidente Jahjaga bëri një vlerësim për Nolin:

“Ne e kujtojmë me pietet jo vetëm për veprimtarinë e tij politike, por edhe për angazhimin dhe përkushtimin e tij për letrat shqipe, për poezinë, për dramën dhe shumë aktivitete të tjera, për të cilat ne të gjithë e njohim Nolin dhe që kanë mbetur si një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë kulturore.”

Në fund të vizitës, ajo vendosi një kurorë në varrin e dikurshëm të Faik Konicës, ku ndodhet shenja përkujtimore.

Nesër, Presidentja e Kosovës do të mbajë një ligjëratë në Dartmouth College, në Hanover të shtetit New Hampshire, ndërsa më 9 mars, ajo do të flasë në takimin e nivelit të lartë të grave udhëheqëse në Nju Jork.

XS
SM
MD
LG