Lidhje

Procesi i paqes izraelito-palestinez, kryesisht i ngrirë gjatë vitit 2011


Procesi i paqes izraelito-palestinez, kryesisht i ngrirë gjatë vitit 2011
Procesi i paqes izraelito-palestinez, kryesisht i ngrirë gjatë vitit 2011

Viti 2011 nuk solli shumë zhvillime në procesin e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve. Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë u përpoqën të ringjallnin bisedimet e drejpërdrejta për paqen, në një mjedis me pasiguri politike të shkaktuara nga përçarja midis udhëheqësve palestinezë dhe demonstratat popullore në vende të ndryshme arabe. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Scott Bobb njofton nga Jeruzalemi.

Autoriteti palestinez, i irrituar nga ngrirja e diskutimeve për paqen, bëri kërkesë për anëtarësim të plotë në Kombet e Bashkuara. Çështja e paraqitur prej tij është pezull, por ajo has në kundërshtimin e vendosur të Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, palestinezët fituan anëtarësim të plotë në organizatën kulturore të Kombeve të Bashkuara UNESCO, duke shkaktuar reagime nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.

Izraeli ndërmori hapa mbi ndërtimin e më tepër shtëpive në zonat e pushtuara gjatë luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1967. Katërshja e fuqive të mëdha ndërmjetëse në Lindjen e Mesme u përpoq pa sukses të bindëte Izraelin dhe palestinezët për të rinisur bisedimet e drejtpërdrejta midis tyre. Ndërkohë, udhëheqësi palestinez Mahdmoud Abbas dhe lëvizja e tij Fatah u përpoq t’i jepte fund rivalitetin me kundërshtarët e Hamas-it, grupit islamik që kontrollon Rripin e Gazës.

Izraeli tha se do të braktiste bisedimet e paqes, nëse palestinezët pajtohen, pasi Hamasi dëshiron të shkatërrojë Izraelin.

Megjithatë, qeveria Izraelite liroi më tepër se 1 mijë palestinezë në këmbim të lirimit të një ushtari izraelit, i cili ishte kapur nga Hamasi 5 vjet më parë.

Analisti me qendër në Gaza Mahmoud Ajrami thotë se këmbimi i kryer rriti mbështetjen popullore të palestinezëve ndaj grupit Hamas dhe dobësoi atë ndaj zotit Abass.

“Kjo jep më shumë shpresa se me anë të rezistencës dhe vetëm me anë të rezistencës, ne mund të rivendosim të drejtat tona.”

Izraeli filloi të shqetësohej gjithmonë e më shumë pas protestave popullore në disa vende arabe. Udhëheqësit izraelitë patën frikë se erërat e ndryshimit mund të nxisnin ndjenja anti-izraelite dhe të kërcënonin stabilititetin. Gazetari opinionist Danny Rubinstein thotë se partitë islamike që fituan në Tunizi dhe Egjipt gëzojnë mbështetjen e popujve të tyre. Ai mendon se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara duhet të kenë kontakte me to.

“Unë nuk jam i shqetësuar prej tyre, pasi ata nuk janë të çmendur. Ata nuk janë si talebanët dhe ata nuk janë si al-Kaida. Ata janë të ngjashëm me lëvizjen islamike turke, pra janë praktikë.”

Mahdi Abdel Hadi i grupit palestinez të studimeve PASSIA thotë se lëvizja islamike po ndryshon dhe po fillon të jetë pjesë e shoqërisë demokratike. Por ai nuk mendon se ata do të braktisin çështjen palestineze.

“Ne kemi qenë thelbi i çështjes arabe. Qysh nga Lufta e Parë Botërore, në vitin 1914, në protestat arabe të viteve 1916, 1917, ne kemi qenë në qendër të të gjithë procesit, edhe me udhëheqësin Nasser.”

Analistët nuk janë të të njëjtit mendim mbi ndryshimet që mund të sjellin në Lindjen e Mesme protestat e vendeve arabe. Por shumica është dakord se ngrirja e bisedimeve izraelito-palestineze nuk është shenjë e mirë për stabilitetin në rajon.

XS
SM
MD
LG