Lidhje

Një projekt për të ndihmuar të mbijetuarit e dhunës seksuale


Projekti "Monumenti i Jorganëve"
Projekti "Monumenti i Jorganëve"

Mijëra histori të treguara nga të mbijetuar të dhunës seksuale janë qepur së bashku, duke krijuar qindra jorganë. Së bashku, ato përbëjnë Monumentin e Jorganëve, një projekt i organizuar nga nisma FORCE: Përmbysja e Kulturës së Përdhunimit. Në pesë vitet e kaluara, punishtet në gjithë vendin inkurajuan të mbijetauarit të flasin, të ndajnë përvojat e tyre, secili në një kuadrat pëlhure. Së fundmi, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Faiza Elmasry pasi janë ekspozuar në qytete në gjithë Shtetet e Bashkuara dhe Meksikë, Monumenti i Jorganëve mbërriti në qendër të Uashingtonit për të shfaqur solidaritet.

Disa jorganë rrëfejnë historinë e tre mijë historive personale.

Çdo kuadrat i çdo jorgani është një mesazh nga të mbijetuarit e përdhunimit, incestit ose dhunës në familje. Ata janë gra, burra dhe fëmijë nga gjithë Shtetet e Bashkuara dhe Meksika. Projekti u ideua dhe u vu në jetë nga nisma FORCE: Përmbysja e Kulturës së Përdhunimit. Ky bashkëpunim organizatash me bazë në Baltimorë, krijon projekte masive arti publik për të tërhequr vëmendjen e medias dhe për të hapur diskutimin tek publiku.

Jemi një organizatë që drejtohet nga të mbijetuarit. Ne u japim përparësi nevojave të të mbijetuarve, duke krijuar një platformë publike për shërimin”, thotë Hannah Brancato, themeluese e “FORCE”.

Ekspozuar në shëtitoren kryesore të Uashingtonit këtë muaj, në kuadratet e jorganit shkruhet ‘NUK JENI VETËM’ në anglisht dhe spanjisht.

“Është ekspozita e 50-të që bëjmë në Shtetet e Bashkuara dhe Meksikë, në 33 qytete gjatë gjashtë viteve të kaluara”, thotë zonja Brancato.

Para katër vitesh një nga këto aktivitete frymëzoi Greg Grey Cloud që të bashkohej me këtë fushatë.

Në atë kohë, asnjë mashkull nuk kishte rrëfyer historinë e vet, deri kur unë mora guximin të flas. Unë isha sulmuar seksualisht që kur isha 9 vjeç. Por gratë e kësaj nisme, krijuar kushtet ku unë ndjeva që mund të tregoja historinë time”, thotë zoti Cloud.

Nuk kam pse të ndjehem i turpëruar sepse për një kohë të gjatë mbeta ai 9 vjeçari. Isha burrë por në mendjen time kisha mbetur 9 vjeç. Por ato krijuan kushtet që unë të ndjehesha burrë dhe të vazhdoja të flisja për atë që më kishte ndodhur kur isha fëmijë”, thotë ai.

Traumat, veçanërisht ato të shkaktuara nga dhuna me bazë gjinore dhe traumat seksuale, mbeten në shpirt, në trup. Ekpozimi i një pëlhure të tillë shpesh shërben si një gjilpërë akupunkture dhe hap ato vende traumash dhe shpesh njerëzit që as nuk e kanë konsideruar veten si të mbijetuar, kur shohin këtë projekt e kuptojnë se kanë përjetuar dhunë seksuale”, thotë Kalima Young, organizatore e projektit.

Është vërtet diçka e bukur të shohësh se si të mbijetuarit nuk kanë firkë të kërkojnë shërimin në komunitetin e tyre. Është e jashtëzakonshme. Por është njëkohësisht e trishtueshme të shohësh ndikimin e këtyre ngjarjeve” thotë vizitorja Naomi Chandel Kumar.

Organizatorët thonë se puna e tyre nuk mbaron këtu. Ekspozimi është vetëm platforma e fillimit të diskutimit të dhunës seksuale në audienca më të gjera, për të ndihmuar më shumë të mbijetuar dhe frymëzuar ndryshimin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG