Lidhje

Prokuroria ankohet ndaj gjykatave të Vlorës dhe Fierit


Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi sot Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë që të vlerësojnë vendimet e disa gjyqtarëve, që sipas saj, shkelën ligjet haptas. Prokuroria renditi 3 vendime të gjykatave në Fier dhe në Vlorë, për 3 të arrestuar që pritnin ekstradimin jashtë Shqipërisë.

Gjykata e Apelit në Vlorë la në arrest shtëpie Vangjel Zijain, i cili u dënua nga gjykatat italiane me 32 vjet burgim si pjesëmarrës në organizatë kriminale që trafikon drogë dhe prostitucion. Më pas ai u largua nga banesa.

Në të njëjtën mënyrë, nuk gjendet më Erjon Sadikaj, pasi gjykata e Vlorës e liroi nga arresti me burg, ndërsa gjykatat italiane urdhëruan arrestimin e tij si pjesëmarrjes në organizatë kriminale dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Po ashtu, gjykata e Fierit la në arrest shtëpie Arben Isufaj, person me urdhër arresti ndërkombëtar nga drejtësia italiane si pjesëmarrës në organizatë kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike.

Prokuroria e përgjithshme, deklaroi se të tre vendimet gjyqësore janë shkelje flagrante e ligjit, që lirojnë persona me rrezikshmëri të lartë në Shqipëri dhe jashtë saj. Këshilli i Lartë i Drejtësisë njoftoi se tre rastet e përmendura janë kontrolluar nga inspektorët e KLD-së dhe nga ata të ministrisë së Drejtësisë, dhe janë në shqyrtim e sipër, megjithë dublimet në verifikim.

Ministria e Drejtësisë deklaroi se e mbështet nismën e prokurorisë së përgjithshme dhe se do të ndjekë me vëmendje këto raste, për të rritur transparencën në vendim-marrjen e gjykatave.

XS
SM
MD
LG