Lidhje

Prokurori i Përgjithshëm mbron reagimin federal ndaj protestave në Portland


Gjatë dëshmisë në Kongres të Prokurorit të Përgjithshëm
Gjatë dëshmisë në Kongres të Prokurorit të Përgjithshëm

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Bill Barr, u tha ligjvënësve amerikanë të martën se ndërhyrja federale ishte e nevojshme për të qetësuar protestat e vazhdueshme në qytetin veriperëndimor të Portlandit, në shtetin Oregon. Zoti Barr kundërshtoi akuzat e ligjvënësve demokratë, se ai e ka vendosur besnikërinë ndaj Presidentit Donald Trump, mbi mbrojtjen e shtetit ligjor. Njofton nga Kongresi, korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson.

Vazhdojnë prej dy muajsh protestat në Portland. Ato janë intensifikuar tashmë gjatë orëve të natës me përplasje mes forcave federale të zbatimit të ligjit dhe protestuesve përreth gjykatës federale të qytetit.

Përdorimi i diskutueshëm i njësive federale dhe njoftimet për arrestime nga autoritete federale pa shenja identifikimi, u mbrojtën të martën nga zyrtari më i lartë i drejtësisë.

"Ajo që ndodh natën përreth gjykatës nuk mund të quhet protestë. Është nga çdo këndvështrim objektiv, një sulm ndaj qeverisë së Shteteve të Bashkuara", thaWilliam Barr, Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara.

Në të gjithë vendin, protestuesit thonë se racizmi në sistem është një problem serioz në forcat policore të vendit, por zoti Barr e kundërshtoi këtë pretendim.

Numri i burrave afrikano-amerikanë të paarmatosur të vrarë nga policia deri tani është tetë. Numri i burrave të bardhë të paarmatosur të vrarë nga policia për të njëjtën periudhë kohore është 11. Numri i përgjithshëm i të shtënave nga policia po bie", tha zoti Barr.

Paraqitja e zotit Barr është e para në detyrën si prokuror i përgjithshëm përpara Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët. Dhe demokratët ishin gati.

"Mandati juaj është shënuar nga një luftë e vazhdueshme kundër bërthamës profesionale të departamentit në një përpjekje të dukshme për të siguruar favore për presidentin", tha Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Jerry Nadler.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Jerrold Nadler
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Jerrold Nadler

Demokratët thonë se përdorimi nga prokurori i përgjithshëm i forcës federale është i motivuar politikisht përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

"Amerikanët janë shumë dyshues për motivimin tuaj. Ka nga ata që besojnë se po dërgoni forcat federale të zbatimit të ligjit në këto qytete, jo për të luftuar krimin e dhunshëm, por për të ndihmuar në përpjekjet për rizgjedhjen e presidentit. Presidenti ka bërë të qartë se ai dëshiron që konflikti midis protestuesve dhe policisë të jetë një pretendim qendror, një temë qendrore e fushatës së tij", tha Ligjvënësi Nadler.

Zoti Barr mbrojti gjithashtu largimin në 1 qershor të protestuesve përreth Shtëpisë së Bardhë - duke thënë se kjo ishte e nevojshme për të mbrojtur presidentin, i cili më vonë qëndroi para Kishës së Shën Gjonit duke pozuar për kamerat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG