Lidhje

Tiranë: Prokuroria kërkon arrestimin e komandantit të Gardës


Tiranë: Prokuroria kërkon arrestimin e komandantit të Gardës
Tiranë: Prokuroria kërkon arrestimin e komandantit të Gardës

Në Shqipëri, Prokuroria kërkoi arrestimin e Komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, pasi dyshohet se nga arma e tij personale është vrarë një nga protestuesit në 21 janarin e një viti më parë.

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, deklaroi para medias se njëri nga 11 plumbat e armës së zotit Prendi ka marrë jetën e protestuesit Faik Myrtaj. Prokuroria kërkoi edhe arrestimin e shoferit të tij Arjan Adhami si dhe shefit të IT-së së Kryeministrisë, Armando Kasaj, për fshehje të krimit.

Zonja Rama tha se Prokuroria i kërkoi parlamentit t'u heqë imunitetin parlamentar tre deputetëve të opozitës, Besnik Bare, Tom Doshi dhe Taulant Balla për atë që ajo e quajti rol të tyre aktiv gjatë protestës së 21 janarit 2011.

Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, deklaroi në konferencë përkrah zonjës Rama se mbështetja amerikane ka qenë dhe do të jetë e plotë që hetimet të jenë të plota, të pavarura dhe gjithëpërfshirëse.

Ndërkaq Kryeministria bëri të ditur se komandanti i Gardës është pezulluar nga detyra. Zëdhënësja e Kryeministrisë, Erla Mëhilli, tha se Kryeministri Berisha ka denoncuar bashkëpunimin e kryeprokurores në skenarin e përmbysjes së qeverisë me dhunë, dhe se ka besim tek drejtësia për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Në deklaratë thuhet se “Prokuroria e Përgjithshme, gjatë këtij viti, jo vetëm që nuk ka marrë asnjë masë ndaj atyre që organizuan, sponsorizuan dhe realizuan sulmin ndaj Këshillit të Ministrave, por në Prokurori janë prishur, zhdukur dhe shitur prova dhe dëshmi të shumta të këtij hetimi”.

Kryeministri deklaroi se “hetimi gjithëpërfshirës dhe zbardhja e plotë e ngjarjes tragjike të 21 Janarit 2011, është një kusht madhor për mbizotërimin e ligjit”. Në deklaratë theksohet se “organi i akuzës ka bashkërenduar që në fillim këtë proces me kreun e PS-së, duke e informuar atë me hollësi për shkaqet e dështimit të aktit antikushtetues”.

Deklarata e Kryeministrit Berisha thekson se “gjatë një viti e deri sot, nuk ka asnjë të penalizuar nga organizatorët dhe sponsorizuesit e aktit antikushtetues të 21 Janarit 2011. Po kështu, janë të lirë të gjithë ata që në dhjetëra raste, pohuan me shkrim se kishin ardhur të paguar për të rrëzuar qeverinë, ata që me hunj, gurë, shishe molotov, sulmuan dhe plagosën qindra policë dhe gardistë, ata që morën veturën dhe thyen me të derën e oborrit të Këshillit të Ministrave, me qëllim që të pushtohej ndërtesa”.

XS
SM
MD
LG