Lidhje

Tiranë: Opozita bojkoton parlamentin në ditën e dytë të protestës


Protesta pa afat e Partisë Demokratike të opozitës vazhdoi sot në ditën e dytë, ndërsa qindra përkrahës të saj po qëndrojnë nga mesdita e djeshme në tendën e ngritur midis parlamentit dhe qeverisë në shëtitoren Dëshmorët e Kombit.

Partia Demokratike vendosi të mos marrë pjesë në veprimtarinë e parlamentit, derisa të përmbushen kërkesat e kësaj proteste, që kanë të bëjnë me garancitë e mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të rregullta nga një qeveri teknike.

Protestuesit po sfidojnë kushtet e vështira të motit me shira dhe temperatura të ulëta.

Ata duken të vendosur në qëndrimin e tyre, ndërsa kujdesen për veten me pije të ngrohta pas një nate të ftohtë dhe pa gjumë.

Ndërsa herë pas here vizitohen dhe shkëmbejnë biseda me drejtues të PD-së.

Protestuesit dhe përfaqësues të Partisë Demokratike mendojnë se gjendja ekonomike është e vështirë, papunësia është rritur, krimi dhe korrupsioni janë përhapur gjerësisht në cdo nivel të administratës, por sipas tyre, burimi i gjithë këtyre të këqijave është shkelja e të drejtës së votës.

Partitë e koalicionit qeveritar ende nuk kanë marrë ndonjë qëndrim ndaj kësaj proteste të opozitës.

Nesër pritet të vijë sërish në Tiranë për një vizitë të zakonshme treditore edhe relatori europian për Shqipërinë Knut Finkenshtejn, vizitë e cila përkoi edhe me vijimin e protestës së opozitës.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG