Lidhje

Protesta në kufirin Greqi-Maqedoni


Që pa mbylljes së rrugës së Ballkanit për refugjatët sirianë që synojnë të shkojnë në vendet e Evropës Perëndimore, rreth 11 mijë prej tyre vazhdojnë të jenë të bolluar në kufirin e Greqisë me Maqedoninë. Shumë pak prej tyre kanë pranuar të largohen për në qendra të tjera sistemimi në Greqi, ndërkohë që mes migrantëve përhapen herë pas here informacione të pavërteta se kufiri i Maqedonisë do të hapet, ose se është hapur një rrugë e re kalimi përmes Shqipërisë.

Vetëm një numër i vogël imigrantësh pranuan të hipin në autobuza të hënën në mbrëmje për të shkuar në qendrat e ngritura nga qeveria greke. Zyrtarët janë të vendosur t’i pastrojnë kampet provizore pa përdorur forcën, por vetëm rreth 1 mijë imigrantë nga rreth 12 mijë prej tyre kanë pranuar të largohen.

"Askush nuk do që njerëzit të kryejnë udhëtime të rrezikshme në mesin e detit të pabesë, por duhet të ketë alternativa ligjore, të sigurta dhe në se njerëzit nuk kanë informacion për to, ata do të gjejnë rrugë alterantive në rrugëtimin e tyre drejt Europës Veriore dhe në këtë rast fitues dalin kontrabandistët.”- thotë zyrtari i Komitetit Ndërkombëtar të shpëtimit.

Ndërsa shpresat për hapjen e kufirit po shuhen, një numër më i madh imigrantësh kërkojnë mundësinë e risistemimit të ofruar nga Bashkimi Europian. Sipas këtij programi, një numër i madh refugjatësh do të dërgohen në vende të tjera europiane.

Por agjencitë e ndihmave thonë se informacioni për këtë procedurë është i paqartë dhe imigrantët thonë se risistemimi do të merrte shumë kohë.

"Programi i strehimit të tyre në vende të tjera është një nga mundësitë e vetme për refugjatët që ndodhen këtu në Idomeni si dhe përgjatë kufirit verior të Greqisë, por fatkeqësisht, shumë informacione janë jo të sakta dhe madje kontradiktore.”

Mohammedi, është emigrant nga Damasku:

"Agjencitë e ndihmave po na thonë që të aplikojmë për sistemimin, por kjo mund të marrë gjashtë muaj dhe ne nuk mund të presim kaq gjatë. Ka njerëz të cilët i kanë nënat, baballarët, vëllezërit e tyre jashtë, si do të mund të shkojnë tek ata?”

Sot grupe emigrantësh u larguan nga kampet, në kërkim të një strehe nga shiu dhe era e fortë. Ata hynë në depon e një ferme aty pranë.

Ditët e fundit në kamp kanë qarkulluar fletushka të ndryshme, me infromacione të rreme, sipas të cilave kufiri do të hapet, apo se mund të kalohet përmes Shqipërisë, gjë që ka shkaktuar shqetësim mes banorëve.

Qeveria greke i ka informuar emigrantët se kufiri nuk ka për t’u hapur dhe është përpjekur t’i bindë ata të shkojnë në qendrat zyrtare të pritjes, ku kushtet janë përmirësuar.

Por disa prej atyre personave të larguar nga qendrat, që janë rikthyer atje kanë shkuar përsëri në qytezën kufitare, duke thënë se kushtet atje nuk janë përmirësuar. Në Greqi ka rreth 50 mijë emigrantë dhe refugjatë, shumica e të cilëve duan ta vazhdojnë udhëtimin e tyre për në vende të tjera europiane.

XS
SM
MD
LG