Lidhje

Ligjëvënësit Lewis, Van Hollen flasin kundër Presidentit të zgjedhur


Disa ditë para ceremonive në Shtetet e Bashkuara për nder të udhëheqësit të Lëvizjes së të Drejtave Civile afrikano-amerikane, Martin Luther King, Jr., Donald Trump kritikoi ligjvënësin John Lewis, një tjetër udhëheqës për të drejtat civile.

Kritikat u bënë pasi zoti Lewis tha se ai nuk e konsideron zotin Trump “president legjitim” për shkak të asaj që Lewis beson se ishin përpjekje të Rusisë për të ndihmuar zotin Trump të fitonte presidencën.

Në një intervistë të premten në emisionin Meet the Press të rrjetit NBC, që transmetohet të dielën, zoti Lewis tha “Unë besoj se duhen bërë përpjekje për të punuar me të tjerët. Por do të jetë e vështirë. Do të jetë shumë e vështirë. Unë nuk e konsideroj presidentin e zgjedhur si president legjitim”.

Në disa postime në Twitter të shtunën në mëngjes, presidenti i zgjedhur tha se në vend që ta kritikojë atë, ligjvënësi Lewis duhet të përqëndrohet t’u shërbejë njerëzve që ai përfaqëson.

Një tjetër ligjvënës demokrat foli kundër presidentit të zgjedhur duke thënë “Ne nuk do ta lejojmë Donald Trump-in të groposë imazhin e Statujës së Lirisë”. Komenti u bë të shtunën nga senatori Chris Van Hollen i Merilendit, në një kishë historike afrikano-amerikane në qendër të Uashingtonit.

Zoti Van Hollen po fliste në një nga dhjetra tubimet dhe protestat e mbajtura në të gjithë Amerikën të shtunën, gjashtë ditë para inaugurimit të presidentit të ri.

Donald Trump u bë një figurë polarizuese gjatë fushatës së tij me komentet anti-emigrantëve, premtimet e tij për të ndërtuar një mur në kufirin me Meksikën, dhe premtimit të tij për të marrë masa të ashpra kundër myslimanëve që vijnë në vend.

Në Uashington, kleriku Al Sharpton udhëhoqi një marshim po ashtu të shtunën. “Ne kemi ardhur t’i themi demokratëve dhe republikanëve të moderuar në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve që të bëhen të guximshëm”, tha ai duke i bërë thirrje politikanëve që të mos lejojnë zotin Trump dhe përkrahësit e tij republikanë të ndërmarrin projekt-ligje që do të veprojnë kundër interesave të të varfërve dhe klasës punëtore.

Një ditë pas inaugurimit të zotit Trump, më 21 janar, rreth 200 mijë njerëz nga i gjithë vendi priten të marrin pjesë në Marshimin e Grave për të protestuar presidencën e re.

Që nga fitorja befasuese e zotit Trump në nëntor, protesta kundër presidencës së tij janë mbajtur rregullisht në të gjithë vendin.

XS
SM
MD
LG