Lidhje

Protesta kundër njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet


Në Bregun Perëndimor dhe në Gazë pati sot protesta në rrugë si dhe përleshje mes demonstruesve palestinezë dhe trupave izraelite. Përplasjet vijnë një ditë pas vendimit të Presidentit amerikan Donald Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.

Në Ramallah të Bregut Perëndimor, ku ndodhet selia e qeverisë palestineze, grupe demonstruesish hodhën gurë ndaj forcave izraelite dhe u vunë zjarr gomave, duke krijuar shtëllunga tymi mbi qytet. Njoftohet për dhjetëra persona me lëndime të lehta.

Në qytetin biblik të Bethlehemit, vendlindja e Jezusit, trupat izraelite përdorën makinat e ujit dhe gazin lotsjellës ndaj protestuesve, ndërsa në Gazë, demonstruesit dogjën postera të presidentit Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu si dhe flamuj amerikanë dhe izraelitë.

Palestinezët mbyllën dyqane dhe shkolla në një grevë të përgjithshme, ndërsa udhëheqësi i grupit militant të Hamasit, Ismail Haniyeh, bëri thirrje në Gazë për një kryengritje të tretë palestineze kundër Izraelit.

Izraeli ka shtuar forcat e sigurisë në Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe përgjatë kufirit me Gazën.

Qindra islamistë u mblodhën në qytete të mëdha të Pakistanit, për të dënuar vendimin e zotit Trump. Grupi ekstremist i al-Kaidës, al-Shabab, u kërkoi "të gjithë muslimanëve të grumbullojnë armë dhe të mbrojnë xhaminë al-Aksa”.

Kjo xhami e Jerusalemit është objekti i tretë më i shenjtë në fenë Islame dhe palestinezët e shohin Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e një shteti të ardhshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG