Lidhje

Macron në diskutime për të qetësuar situatën


Presidenti francez Emmanuel Macron u takua sot me politikanë, përfaqësues të sindikatave dhe udhëheqës të biznesit, për të dëgjuar shqetësimet e tyre. Në mbrëmje, zoti Macron do t’i drejtohet vendit përmes një fjalimi në televizion, dalja e parë publike në më shumë se një javë, ndërkohë që protestat e "jelekëve të verdhë" kanë tronditur vendin. Protestat filluan si një lëvizje kundër rritjes së taksave të karburantit, por kërkesat janë shtuar, mes tyre edhe ato për dorëheqjen e presidentit.

Punëtorët në të gjithë vendin pastruan mbrëmë mbeturinat e shkaktuara nga protestat, si gurë apo makina dhe biznese të djegura.

Rreth 2,000 vetë u arrestuan të shtunën në të gjithë Francën. Ministria e brendshme thotë se rreth 136,000 njerëz u mblodhën për të protestuar kundër kostos së lartë të jetesës. Protestuesit shprehën gjithashtu mospajtimin me presidentin Macron.

"Më në fund, pas Parisit, Franca është në flakë dhe kjo është një përgjegjësi e madhe për presidentin Emmanuel Macron, ai duhet të japë përgjigjje, të cilat janë të vonuara, për fat të keq. Pas kësaj do të ketë protestues që do të ndihen të kënaqur, por tani për tani ka shumë njerëz të cilët thjesht duan që Presidenti të japë dorëheqjen. Është tepër vonë, loja është hapur dhe këta njerëz do të qëndrojnë në rrugë".

Për javën e katërt të demonstratave të dhunshme, Franca mbylli Kullën Eiffel dhe monumentet e tjera turistike si dhe mobilizoi dhjetëra mijëra forca sigurie.

Shumë dyqane në Paris i mbyllën vitrinat me kompensata përpara protestave të së shtunës për të shmangur shkatërrimin ose plaçkitjen. Policia bllokoi shumë nga bulevardet e gjera të qytetit.

Protesta pati gjithashtu në një numër qytetesh përveç Parisit, duke përfshirë Marsejën, Bordonë, Lionin dhe Tuluzën.

Demonstrimet nisën në nëntor dhe drejtoheshin kundër rritjes së taksës së karburantit, që ishte pjesë e planit të zotit Macron për të luftuar ngrohjen globale. Katër vetë kanë humbur jetën në aksidente që lidheshin me protestat.

Megjithëse Presidenti Macron ka hequr dorë nga rritja e taksës së karburantit, protestuesit kanë bërë kërkesa të reja për çështje të tjera ekonomike që dëmtojnë punëtorët, pensionistët dhe studentët.

Protestat kanë nxjerrë në shesh pakënaqësi të mëdha mes banorëve të periferive, të cilët thonë se zoti Macron, ish-bankier investimesh, nuk e njeh realitetin e shtresës së mesme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG