Lidhje

Publiku britanik i ndarë rreth dasmës mbretërore


Publiku britanik i ndarë rreth dasmës mbretërore
Publiku britanik i ndarë rreth dasmës mbretërore

Britania po përgatitet të shfaqë pompozitetin dhe patriotizimin më të madh në disa dekada, ndërsa vetëm disa orë na ndajnë nga dasma mbretërore e së premtes. Qeveria e ka deklaruar ditë pushimi të premten dhe janë planifikuar 5 mijë mbrëmje të ndryshme festive nëpër rrugë. Megjithëse anketimet tregojnë se shumica e britanikëve nuk janë të interesuar për dasmën, për tifozët më të mëdhenj të monarkisë, kjo është ngjarja e shekullit. Nga Londra njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgewell:

Ndërsa në Britani mund të ketë mendime të ndryshme lidhur me dasmën, Princi William me Catherine Middleton e kanë të garantuar një vend të rëndësishëm në mbretërinë birtanike. Në një lagje të qetë periferike të Londrës, banon Margaret Tyler në shtëpinë e saj të njohur si “Shtëpia e trashëgimisë”, ku ajo mban objekte të shumta për monarkinë britanike.

“Kjo ishte tavolina ime e bukës, këtu është ulur familja ime të dielave, kur mblidhej së bashku, por tani jemi duke ngrënë darkë me pjatën në prehër, (para televizorit) sepse William dhe Catherine duket se po na kontrollojnë të gjithëve...”

Duket se Tyler ka në shtëpinë e saj të gjitha memorabilat e famijes mbretërore që janë prodhuar në shumë vite, mbi 10 mijë objekte. Me qindra filxhanë me fytyrat e anëtarëve të familjes mbretërore janë varur nëpër mure. Këtu ka objekte nga më të ndryshmet, deri revistat ku janë botuar artikuj me foto të familjes mbretërore, madje ajo ruan edhe një tufë flokësh të Princeshës Diana. Këtu nuk ka më vend për memorabila të tjera, madje koleksionet e saj të hershme fshihen prapa atyre të rejave.

“Edhe kur heq disa objekte, përsëri ke foton e tyre… Kjo fotografi psh është e mbrëmjes së fejesës. Më pëlqen mënyra se si sheh poshtë Kate, më pëlqen shumë kjo fotografi”.

Si mund të krahasohet kjo dasëm me të tjerat që zonja Tyler ka parë gjatë disa dekadave?

“Në këta 39 vjet që unë kam grumbulluar memorabila kanë ndodhur shumë gjëra. Por tani familjen mbretërore mund ta shohësh në mënyra të ndryshme. Ndërsa dasmën e princit Charlse me Dianan e ndoqën 750 milionë njerëz, tani po thuhet se dasmën e çiftit të ri do ta shohin 2 miliardë njerëz!”

Thuajse çdo dyqan në Britani ka diçka nga suveniret mbretërore. Por anketimet tregojnë se vetëm 37 për qind e publikut britanik janë me të vërtetë të interesuar dhe të emocionuar nga dasma.

“Prandaj Zëri i Amerikës vendosi të vijë këtu në një Pub tipik të Londrës, për të zhvilluar anketimin tonë, natyrisht aspak shkencor. Ne blemë një qese për t’u përdorur në se dikujt i përzihet nga Dasma Mbretërore dhe një flamur britanik me foton e Williamit dhe Katit në mes. Pyetëm disa nga klientët e Pub-it, se cilin souvenir të familjes mbretërore do të zgjidhnin”.

“Unë do të zgjidhja flamurin e dasmës mbretërore. Mua më pëlqen ta shoh dasmën, mezi pres të shkoj në festë dhe të shfaq patriotizimin tim gjatë këtyre ditëve, prandaj më pëlqen flamuri”.

“Kurse unë do të zgjidhja qesen, se më vjen për të përzjerë. Për mua kjo ngjarje ka marrë përmasa të paimagjinueshme. Në fund të fundit janë dy njerëz që po martohen. Të paktën do të kemi një ditë pushim… Por kur është fjala për të blerë diçka, unë do të zgjidhja qesen”.

Familja mbretërore dhe taksapaguesit britanikë, dhe siç është tradita, prindërit e nuses, po paguajnë dhjetra miliona sterlina për Dasmën e Shekullit. Qeveria thotë se në Londër për të parë dasmën pritet të shkojnë 600 mijë vizitorë dhe në të gjithë vendin janë planifikuar më tepër se 5 mijë mbrëmje festive. Margaret Tyler thotë se mezi po pret të blejë një skulpturë porcelani në miniaturë të princeshës së re, për t’ia shtuar koleksionit të saj të familjes mbretërore.

Dhe në se nuk të tërheq shumë moda, mund të luash pak bixhoz, por për dasmën. Tashmë kanë filluar të vihen bastet për një të papritur të këndshme, në se shoqëruesi kryesor i dhëndërrit, Princi Harry do të harrojë të sjellë me vete unazën e nuses.

XS
SM
MD
LG