Lidhje

Punëtorët e huaj i shmangen protestave antiqeveritare në Hong Kong


protestuesit marshojnë në Hong Kong (20 tetor 2019)

Protestat antiqeveritare dhe trazirat në Hong Kong vazhdojnë prej gati katër muajsh. Mes personave të prekur nga trazirat janë edhe rreth 400,000 punonjës të huaj, kryesisht gra nga Indonezia dhe Filipinet. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara njofton nga Hong Kongu.

Protestuesit pro-demokracisë në Hong Kong nuk po japin shenja të ngadalësimit, gati katër muaj pas fillimit të protestave.

"Për banorët e Hong Kongut, kjo është bërë pjesë e jetës. Ne protestojmë të shtunave dhe të dielave ose gjatë festave", thotë një protestues.

Protestat ndikojnë në jetën e përditshme në këtë ish-koloni britanike, përfshirë jetën e 400,000 ndihmëseve shtëpiake, kryesisht gra nga Filipinet dhe Indonezia.

Rini Ati nga Indonezia thotë se protestat e fundjavës kanë qenë dekurajuese dhe po ia prishin planet për ditët e saj të pushimit.

"Po, na shqetëson, por vërtet nuk mund të themi asgjë. Synimi ynë është të punojmë këtu”, thotë Rini Ati, punonjëse nga Indonezia.

Me një pagë mesatare prej rreth 600 dollarësh në muaj dhe në pamundësi për të pushuar pa u penguar në shtëpitë e punëdhënësve të tyre, punonjëset shtëpiake zakonisht i kalojnë ditën e lirë, së bashku në zona publike për t'u çlodhur me komunitetin e tyre.

Por që nga fillimi i protestave, opsionet e tyre janë bërë edhe më të kufizuara. Veçanërisht në ditët kur sistemi i metrosë është i mbyllur, qoftë nga vandalizmi, qoftë nga qeveria, në përpjekje për të penguar protestuesit.

Tessa Davcena nga Filipinet, është në vitin e tetë në Hong Kong.

“Sigurisht, kjo na shqetëson, sidomos kur jemi pushim, sepse në këto kushte detyrohemi të rrimë në një vend. Nuk mund të shkojmë askund, sepse nuk ka asnjë mënyrë tjetër të transportit publik", thotë ajo.

Këto gra thonë se as nuk e mbështesin dhe as nuk e kundërshtojnë lëvizjen pro-demokracisë. Por ato përpiqen të shmangin tubimet, që mund të çojnë në përleshje dhe përdorim të gazit lotsjellës.

"Kur nuk kemi një vend për t’u mbledhur, punëdhënësi ynë zakonisht na thotë të shkojmë në shtëpi", thotë Rini Ati.

"Ne nuk mund të bashkohemi me protestuesit. Pra, ne thjesht i shikojmë ata nga distanca. Ne duam të jemi të sigurta”, thotë Tessa.

Edhe nëse protestat vazhdojnë, Tessa dhe Rini thonë se nuk do të largohen nga Hong Kongu. Aktivistët pro-demokracisë thonë se lufta e tyre është afatgjatë.

“Ne duam një shoqëri demokratike dhe një qeveri angazhuese. Ne duam një ekuilibër të pushtetit mes shtetit dhe njerëzve", thotë Eric Lai nga Fronti Civil i të Drejtave të Njeriut në Hong Kong.

Një luftë në të cilën këto gra do të vazhdojnë të jenë spektatore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG