Lidhje

Punonjësi i kompanisë së aparateve të votimit padit zyrtarët e fushatës së zotit Trump dhe mediat konservatore


Dominion Voting system

Një punonjës i kompanisë që ka prodhuar makinat e votimit, i cili është detyruar të fshihet për shkak të kërcënimeve me vdekje, ka ngritur një padi gjyqësore për shpifje kundër zyrtarëve të fushatës së Presidentit Donald Trump, dy prej avokatëve të tij dhe disa gazetarëve të mediave konservatore.

Drejtori për Sigurinë e Sistemeve të Votimit të kompanisë Dominion me seli në Kolorado, Eric Coomer, tha se kërkon që t’i kthehet jeta normale ashtu siç ishte përpara akuzave të rreme që e cilësuan atë si një aktor kryesor në "manipulimin" e zgjedhjeve në favor të Presidentit të zgjedhur Joe Biden. Megjithë pretendimet, nuk është ofruar asnjë provë se zgjedhjet janë manipuluar.

Padia e tij, dorëzuar të premten në gjykatën e qarkut në Denver të Kolorados, përmend zyrtarët e fushatës së zotit Trump, avokatët Rudy Giuliani dhe Sidney Powell, opinionisten konservatore Michelle Malkin, faqen e internetit “Gateway Pundit”, aktivistin konservator të Kolorados Joseph Oltmann dhe mediat konservatore “Newsmax” dhe “One America News”.

Deri tani nuk ka patur asnjë koment nga ata ndaj të cilëve është ngritur padia.

"Jam vendosur në qendër të vëmendjes nga njerëz me axhenda politike e financiare, por me zemër unë jam qytetar i thjeshtë", thuhej në një deklaratë të zotit Coomer.

"Ndërsa kam ndërmend të bëj gjithçka mundem për t'iu rikthyer jetës së mëparshme, kam disa dyshime në këtë drejtim", shkruhej në deklaratë. "Ndaj sot vendosa të besoj tek procesi ligjor, i cili e ka zbuluar tashmë të vërtetën e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020".

“Dominion”, një kompani që siguroi pajisje për numërimin e votave në disa shtete, i ka hedhur poshtë akuzat se ka ndryshuar votat e zotit Trump në favor të zotit Biden. Nuk ka dalë asnjë provë për të mbështetur këto akuza.

“Dominion” dhe një tjetër kompani e teknologjisë së votimit, “Smartmatic”, kanë filluar betejat ligjore kundër përmendjes së tyre si pjesë e teorive të pabaza konspirative. Pas kërcënime për padi ligjore, ditët e fundit rrjetet televizive “Fox News” dhe “Newsmax” janë detyruar të transmetojnë materiale që hedhin poshtë pretendimet që ato vetë kishin bërë për manipulime në votime.

Avokatët e zotit Coomer thonë se klienti i tyre është kthyer në "simbolin e pretendimeve të rreme". Emri i zotit Coomer u ekspozua fillimisht në një transmetim të aktivistit konservator Oltmann, i cili pretendonte se kishte dëgjuar një telefonatë të aktivistëve të Antifa-s. Lidhur me pyetjen nëse Trump do të fitonte ose jo zgjedhjet, zoti Oltmann tha se një person i identifikuar si "Eric nga firma Dominion" kishte thënë sipas tij se: "mos u shqetësoni për zgjedhjet, se Trump nuk do të fitojë. Jam siguruar ... për këtë gjë", pasuar nga një pasthirrmë.

Në një opinion të publikuar në gazetën “Denver Post”, zoti Coomer shkruante se ai nuk kishte asnjë lidhje me Antifa-n dhe se nuk kishte bërë kurrë një telefonatë të kësaj natyre dhe se pohimet mbi ekzistencën e ndonjë regjistrimi të tij janë "tërësisht një trillim".

Faqja e internetit që kontroll faktet “Snopes” tha se zoti Oltmann nuk ka bashkëpunuar në asnjë përpjekje për të verifikuar pretendimet e tij.

Zoti Oltmann gjithashtu pohonte se zoti Coomer ka bëri komente anti-Trump në Facebook. Në padinë gjyqësore pranohet se zoti Coomer ka bërë komente kritike ndaj presidentit në faqen e tij private në Facebook duke shtuar se se faqja e tij tashmë është joaktive.

Akuzat e zotit Oltmann u përhapën pasi ai u intervistua nga zonja Malkin dhe faqja e internetit “Gateway Pundit”. Eric Trump ka shkruar në Twitter lidhur me to. Rrjeti televiziv “One America News” (OANN) dhe korrespondentja e tij në Shtëpinë së Bardhë, Chanel Rion, raportuan rreth tyre gjithashtu. Zonja Powell, që e kishte identifikuar gabimisht zotin Coomer sikur punonte për kompaninë “Smartmatic”, tha në një konferencë shtypi se "faqet në median sociale të Coomer-it ishin të mbushura me urrejtje" ndaj zotit Trump. Ajo më vonë i përsëriti akuzat në një intervistë për rrjetin “Newsmax”.

Në një konferencë shtypi zoti Giuliani e quante zotin Coomer: "një njeri tejet të keq, që shkruante gjëra të tmerrshme për presidentin ... Ai është plotësisht i deformuar", pohime këto që përmenden në padi.

“Fox News”, një rrjet popullor mes mbështetësve të zotit Trump, nuk paditet. Zoti Coomer në fakt përdor gazetarin e këtij rrjeti televiziv, Tucker Carlson për të mbështetur çështjen e tij. Sipas padisë, një intervistë e planifikuar e zonjës Powell në programin e zotit Carlson nuk ndodhi, pasi ajo nuk arriti të siguronte prova mbi akuzat e saj.

Më herët gjatë këtij muaji zoti Coomer i tha agjencisë “Associated Press” se faqe interneti të krahut të djathtë postuan foto, adresën e shtëpisë e detaje në lidhje me familjen e tij. Pas kësaj, filluan pothuajse menjëherë kërcënimet me vdekje.

Ai tha se babai i tij, një veteran i ushtrisë, mori një letër të shkruar me dorë ku pyetej: "Si ndihesh që ke për djalë një tradhtar?!".

"Është e tmerrshme", tha zoti Coomer. "Kam punuar në procese zgjedhore ndërkombëtare, në vende të ndryshme të përfshira më parë në konflikte, ku dhuna zgjedhore është diçka reale e njerëzit vriten për shkak të saj. Ndiej se jemi në prag të kësaj".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG