Lidhje

Amb. Pardew: Kosova, një eksperiment i shkëlqyer demokracie


“Kosova dhe ndërhyrja amerikane në vitet ’90 prodhoi një ekperiment me të vërtetë të shkëlqyer me demokracinë, që mundi ta ndryshojë me themel rajonin”, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës Ambasadori amerikan James Pardew, i cili në fund të viteve 1990 ishte i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin. Ai i ka përmbledhur kujtimet e tij nga rajoni në librin “Paqja: Udhëheqja Amerikane dhe Fundi i Gjenocidit në Ballkan”, të botuar muajin e kaluar. Në një intervistë që i dha koleges Laura Konda, ambasadori Pardew flet për sfidat kryesore me të cilat përballet Kosova.

Zëri i Amerikës: Ambasador Pardew, ju keni qenë i dërguari i Shteteve të Bashkuara në Ballkan në fund të viteve ’90, kur rajonit shpesh i referoheshin si një mozaik kombesh. Kosova tani është e pavarur, ajo është njohur nga 115 vende. Cili është komenti juaj?

Ambasadori amerikan James Pardew komenton pavarësinë e Kosovës
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:50 0:00

Amb. James Pardew: Para së gjithash, vazhdon të jetë i tillë, duke qenë një zonë me popullsi të ndryshme... Po ashtu, Kosova dhe ndërhyrja amerikane në vitet ’90 prodhoi një ekperiment me të vërtetë të shkëlqyer me demokracinë, që mundi ta ndryshojë me themel rajonin: një eksperiment, sipas të cilit të drejtat e individit bazoheshin tek shtetësia dhe jo tek përkatësia etnike, fetare, apo racore. Ballkani është një rajon me shumë vështirësi prej shekujsh. Disa mund të thonë se kjo është kjo diçka idealiste dhe mund të jetë e tillë, por unë besoj se është shpresa më e mirë për rajonin, pra që qytetaria të bazohet tek vendi ku njerëzit jetojnë dhe jo mbi bazën e përkatësisë etnike, fesë, apo racës.

Zëri i Amerikës: Ju e vizitoni shpesh Kosovën. Cila janë përshtypjet tuaja, kur e krahasoni Kosovën dje me sot?

Amb. James Pardew: Në vitet 1998-99, atje pashë një vend të dëshpëruar dhe shumë tragjik. Kur e krahason Kosovën sot me atë çka ishte në atë kohë, mund të them se atje ka patur një ndryshim të habitshëm në zhvillim; përsëri ka shumë probleme, por në tërësi them se Kosova po shkon në drejtimin e duhur. Doktor Martin Luther King ka thënë se harku i historisë është i gjatë, por ai e ka drejtimin në kahun e duhur, prandaj unë do thoja të njëjtën gjë për Kosovën. Mendoj se ajo po shkon në drejtimin e duhur; ka ende shumë çështje për t’u zgjidhur: duhet shumë punë, me fokusin për t’u anëtarësuar në NATO dhe në BE, duhen bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për të zgjidhur çështjen e marrëdhënies me Serbinë, por në tërësi, unë kam shpresa dhe jam optimist.

Zëri i Amerikës: A është Kosova sot ajo që ju e kishit imagjinuar 10 vjet më parë, kur Shtetet e Bashkuara ofruan ta ndihmonin shtetin më të ri në botë?

Amb. James Pardew: Unë mendoj se cilido që hedh vështrimin tek rajoni do të donte të shihte që të lëvizte më shpejt, por unë mendoj se populli i Kosovës nuk i kontrollon dot gjithmonë të gjitha aspektet e fatit të tij. Unë do të doja të shihja që Serbia të kishte mbajtur një marrëdhëne më bashkëpunuese, duke njohur faktin se Kosova është tani një shtet, prandaj që të ecë përpara, duhet ta pranojnë këtë; në fakt por kjo nuk ka ndodhur, pra ka ende shumë vështirësi, por unë mendoj se përpjekja në Kosovë ja vlente dhe vendi do të bëjë përpara në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Cilat mendoni se janë disa nga sfidat me të cilat përballet Kosova sot?

Amb. James Pardew: Ata nuk janë pjesë e NATO-s dhe BE-së dhe vazhdojnë të kenë marrëdhënie të tensionuara dhe të kufizuara me Serbinë dhe me disa fqinjë; ne duam t’i shohim këto çështje të zgjidhen dhe mendoj se SHBA dhe BE duhet të punojnë shumë për këtë; ne kemi investuar shumë në atë rajon dhe nuk është një vend nga ku duhet të largohemi, përderisa atje ka ende probleme; unë do të doja të shihja një angazhim më të madh nga SHBA dhe BE dhe që të ndihmonin popullin Kosovës me problemet me të cilat përballen.

Zëri i Amerikës: Bashkimi Europian kohët e fundit publikoi raportin e ri me planet për zgjerimin me vende të Ballkanit Perëndimor, ku nuk kishte plane specifike për Kosovën. Cili është komenti juaj?

Amb. James Pardew: Unë mendoj se të gjitha vendet e rajonit në fund të fundit duhet të jenë në BE. Nuk mund të flas për BE-në, por mendoj se të pranosh anëtare disa vende dhe disa të tjera jo në radhë pas njëri tjetrit, nuk do të bënte tjetër, veçse do të krijonte probleme për BE-së. Sinqerisht, mendoj se duhet të hyjnë të gjitha vendet së bashku në BE. Kjo është strategjia më e mirë. Por unë jam amerikan, nuk jam në BE, pra ky është vetëm opinioni im.

Zëri i Amerikës: Russia vazhdimisht është përpjekur të ketë ndikim politik në rajon, nganjëherë përmes Serbisë. Në këto kushte, a mendoni se SHBA dhe BE duhet të angazhohen më tepër në rajon, sidomos në Kosovë dhe në Serbi?

Amb. James Pardew: Unë mendoj se Vladimir Putin ka vendosur që shkatërrimi i demokracisë në Europën Perëndimore dhe në SHBA është në interesin e tij. Nuk jam i sigurtë përse ai mendon kështu, por ai ka zbuluar që ne të gjithë jemi objekt informacioni dhe po përdor ndikimin që i ka mbetur; Rusia do që të minojë demokracinë në Ballkan dhe të shkaktojë trazira. Kjo është fatkeqësi për rajonin, por edhe për Rusinë; ne duhet t’u tërhesim atyre vëmendjen, që t’i kushtojnë shumë vëmendje se nga vjen informacioni, nga burime të ligjshme, apo nga zbulimi rus dhe nga Kremlini.

Zëri i Amerikës: Mitrovica “de facto” është një qytet i ndarë. Kohët e fundit Ministri serb i Mbrojtjes Vulin ngriti përsëri idenë e vjetër për ndarjen e Kosovës. Ai tha gjithashtu se Beogradi duhet të diskutojë me Tiranën, dhe jo me Prishtinën. A mendoni se ka shanse për shkëmbim territoresh?

Amb. James Pardew: Kjo nuk më duket realiste. Para së gjithash, kryeqyteti i Kosovës është Prishtina, jo Tirana. Do të thoja se është e papërshtatshme për Shqipërinë që të përfshihet në Kosovë për një çështje që lidhet me Serbinë. Serbia duhet të negociojë me qeverinë e ligjshme në Prishtinë. Për mua kjo tingëllon shqetësuese; nuk më duket realiste të ndodhin këto; Serbia duhet të bëhet realiste për Kosovën dhe statusin e saj. Mbi të gjitha, mbi 100 vende e kanë njohur Kosovën, është një punë e kryer, si një vend sovran dhe ky është fakt, unë mendoj se Serbia veçse dëmton veten duke e zvarrisur këtë, duke shkaktuar probleme, ndoshta edhe në emër të Moskës; dua të them se nuk e ndihmon Serbinë që të vazhdojë të shkaktojë probleme dhe të përhapë ide kundërproduktive, siç është negocimi me dikë për të ardhmen e një pale të tretë. Kjo nuk është realiste.

Zëri i Amerikës: Nesër është 10-vjetori i pavarësisë së Kosovës. Çfarë mesazhi keni për popullin e Kosovës?

Amb. James Pardew: Urime është një ditë e shkëlqyer. Unë jam përfshirë në Kosovë, që në vitin 1998, ku shkova atje për herë të parë e deri kur qeveria shpalli pavarësinë, në vitin 2008. Unë jam shumë krenar për arritjet ndërkombëtare atje, mendoj se ka shpresa për zhvillim të mëtejshëm në Kosovë. Jam krenar për çfarë është arritur deri tani, pres me kënaqësi për arritje të shkëlqyera në të ardhmen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG