Lidhje

Qeliza embrionale për të luftuar virusin HIV


Qelizat embrionale janë si blloqe ndërtimi të trupit. Janë qeliza mostra që mund të zhvillohen në llojet e tjera qelizash me një funksion të caktuar. Shumë shkencëtarë besojnë se qelizat embrionale janë shpresa e madhe në trajtimin për një sërë sëmundjesh, dhe disa prova në laborator kanë qënë të sukseshme. Tani, shkencëtarët shpresojnë të fillojnë prova klinike me njerëz duke përdorur qelizat embrionale të modifikuara gjenetikisht për të luftuar virusin HIV që shkakton Sidën. Shpresat e tyre mbështeten tek provat e suksesshme me virusin HIV-të tek minj në laborator.

Terapia me qeliza embrionale siguron krijimin e qelizave të reja që zevendësojnë indet dhe qelizat e sëmura. Në Kaliforni, në Institutin për përmirësimin e trajtimeve, Joseph Anderson është duke eksperimentuar një terapi me qelizë embrionale kundër infeksionit HIV. Deri tani, ai ka eksperimentuar me minj - duke zëvendësuar sistemin e tyre imunitar me qeliza të modifikuara embrionale me një kombinim të trefishtë të gjeneve rezistentë ndaj virusit HIV.

"Gjatë eksperimentit u arrit të bllokohet infeksioni HIV, duke mbajtur një sistem imunitar normal tek minj, edhe pse virusi ishte ende atje. Qelizat rezistente kanë qenë në gjendje të mbajnë një nivel normal të imunitetit dhe të ruajnë një sistem funksional imunitar."

Doktor Anderson thotë se kjo jep shpresa për një kurë për njerëzit që janë të infektuar me HIV dhe që kanë një sistem të dobët imunitar. Ai thotë se qelizat embrionale të modifikuara gjenetikisht mund t'i ndihmojnë këta pacientë të kenë një sistem imunitar normal përmes rezistencës gjenetike ashtu si në rastin e minjve.

Shkencëtarët që punojnë në këtë projekt thonë se, kjo mënyrë trajtimi mund të bëhet mënyra e vetme e saktë për kurimin përfundimisht të personave të prekur nga virusi HIV. Ata shpresojnë se qelizat emrionale të modifikuara do të arrijnë të përmirësojnë plotësisht sistemin imunitar ndaj virusit - duke bërë të mundur që pacientët me SIDA të mos kenë me nevojë për marrjen e barnave anti-virusale.

XS
SM
MD
LG