Lidhje

Qeveria e Kosovës dënon ashpër vrasjen e qytetarëve amerikanë në Gjermani


Qeveria e Kosovës dënon ashpër vrasjen e qytetarëve amerikanë në Gjermani
Qeveria e Kosovës dënon ashpër vrasjen e qytetarëve amerikanë në Gjermani

Në Kosovë autoritetet e dënuan ashpër ngjarjen e sotme në Gjermani, ndërsa thanë se po bëjnë përpjekje për të mësuar më shumë hollësi rreth autorit të dyshuar të sulmit. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, tha se policia gjermane e ka identifikuar të dyshuarin si Arif Uka, shtetas i Kosovës nga rajoni i Mitrovicës, por, në orët e mbrëmjes ai i tha Zërit të Amerikës se nuk është e qartë se për kë bëhet fjalë.

Kurrfarë të dhënash të tjera nuk kemi përveç ato që u thashë. Ne po mundohemi me identifikue, nëse është informatë e saktë, nuk është e konfirmuar, a ekziston në regjistrin civil tonin”.

Po ashtu Ministri Rexhepi tha se është herët të thuhet çfarëdo qoftë për motivet e mundshme të kësaj ngjarjeje.

Ky është rast terrorist, ose njeri i çmendur”, tha shkurt ministri Rexhepi.

Ndërkohë, presidenti dhe qeveria e Kosovës e dënuan ashpër vrasjen.

Në një deklaratë të presidentit të Kosovës Behgjet Pacolli, thuhet se “Presidenca e Republikës së Kosovës mësoi me hidhërim të thellë për incidentin e ndodhur në aeroportin e Frankfurtit kur dy persona, mes të cilëve një ushtarak i Shteteve të Bashkuara të Amerikës humbën jetën si pasojë e një akti vrastar të kryer nga dikush që është shtetas i Kosovës. Akti i rëndë i shkaktuar nga një bashkëqytetar i tyre ka krijuar dëshpërim te të gjithë qytetarët e Kosovës”. Duke i shprehur ngushëllime popullit amerikan, ushtrisë, autoriteteve amerikane dhe familjeve të të vrarëve, presidenti Pacolli thekson në deklaratë se “populli i Kosovës e dënon me rreptësi këtë akt të lig, individual pavarësisht motiveve që e kanë përcaktuar atë, kryer ndaj njerëzve me rrobën e ushtrisë që pati rol thelbësor në çlirimin e Kosovës, ushtrisë që ka rol kyç në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në gjithë botën”.

Ndërsa, në një reagim të qeverisë thuhet se ajo “është jashtëzakonisht e prekur rëndë dhe dënon ashpër vrasjen e dy qytetarëve amerikanë dhe plagosjen e dy të tjerëve nga një qytetar me prejardhje nga Kosova, që ndodhi sot në Gjermani.

Qeveria e Republikës së Kosovës i shpreh ngushëllimet më të thella popullit amerikan, qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ushtrisë amerikane dhe familjarëve të viktimave.

Ky rast makabër është një akt individual kundër vlerave civilizuese dhe kundër traditës së popullit të Kosovës, që gjithmonë dhe përjetësisht do të jenë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, popullit amerikan dhe qeverisë së SHBA-ve për mbështetjen e fuqishme që i kanë dhënë popullit të Kosovës gjatë procesit të lirisë, pavarësisë dhe tani zhvillimit dhe integrimit të Kosovës.

Qeveria dhe gjithë populli i Kosovës në këto momente të rënda solidarizohen me dhimbjen dhe qëndrojnë pranë qeverisë amerikane, popullit amerikan, ushtrisë amerikane dhe familjeve të viktimave.

Qeveria e Kosovës shpreh besimin dhe bindjen e plotë që aktorët e këtij akti monstruoz do të dalin para drejtësisë dhe do të marrin dënimin e merituar”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008, ndërsa roli i Shteteve të Bashkuara vlerësohet i pazëvendësueshëm edhe për çlirimin e saj. Edhe më tej rreth 800 trupa amerikane shërbejnë në kuadër të forcave paqeruajtëse në Kosovë.

XS
SM
MD
LG