Regjimi libian duket i vendosur ta mbajë pushtetin dhe të shtypë kundërshtarët e sundimit të Gadafit. Disa video të reja amatore tregojnë Seif al-Islam Gadafin, djalin e udhëheqësit libian Moamar Gadafi, para forcave policore duke iu premtuar atyre më shumë armë.
Të shtunën, Këshilli i Sigurimit votoi për vendosjen e embargos së armëve ndaj Libisë, dhe u bëri thirrje vendeve anëtare të OKB-së të ngrijnë asetet e zotit Gadafi, katër djemve dhe vajzës së tij.
Një zëdhënës i qeverisë libiane, hodhi sot poshtë sanksionet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së duke thënë se ato ishin vendosur vetëm bazuar tek njoftimet e shtypit.
Musa Ibrahim, zëdhënës i qeverisë libiane:
“Ata nuk kërkuan të vinin në Libi. Nuk bënë ndonjë mision fakt-mbledhës. Ata e bazuan vendimin e tyre tek njoftimet e shtypit. A keni dëgjuar për ndonjë Këshill Sigurimi që vendos të ardhmen e një vendi bazuar tek njoftimet e shtypit?”
Zoti Ibrahim paralajmëroi se qindra mijëra mund të vdesin nga konflikti në Libi dhe se perëndimi do vetëm naftën e Libisë, duke i bërë popullit thirrje të bashkohet nën një flamur.
Nga ana tjetër, presidenti i Këshillit të sapoformuar Kombëtar të Libisë, Mustafa Abdul-Xhalil, në një intervistë me Skaj Njuzin britanik, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të vendosë embargo ajrore dhe të mos lejojë Gadafin të sjellë mercenarë nga Afrika.
Mustafa Abdul-Xhalil, President i Këshillit Kombëtar:
“Tripoli po lufton kundër shtypjes, dhe kur të bjerë, regjimi do të bjerë së bashku me të. Tani edhe mbështetja për Gadafin po bie.”
Zoti Abdul-Xhalil premtoi se do të punonte për krijimin e një shteti demokratik dhe se do të dënonte të gjitha veprimtaritë terroriste që kishte kryer zoti Gadafi.