Qindra mijëra amerikanë në zonën e Uashingtonit ishin pa drita sot në mëngjes, një ditë pasi një stuhi e shpejtë solli 25 centimetra dëborë.
Shkollat janë të mbyllura sot ndërsa banorët u këshilluan të qëndrojnë larg rrugëve me akull.
Stuhia goditi rajonin e kryeqytetit amerikan dje në mbrëmje me shi të akullt, dëborë dhe rrufe. Më shumë se 400 mijë shtëpi ishin pa energji elektrike.
Autostradat ishin plot trafik ndërsa njerëzit përpiqeshin të ktheheshin në shtëpi. Edhe eskorta e presidentit Obama u vonua dje në trafik.
Më në veri në Nju Jork ka rënë gati 38 centrimetra dëborë duke detyruar kryetarin e bashkisë së qytetit të shpallë gjendjen e emergjencës për të dytën herë këtë vit. Nju Jorku është goditur me më shumë se 90 centimetra dëborë që nga dhjetori.