Lidhje

Sulm mbi një xhami në Kanada - gjashtë të vrarë


Persona të armatosur sulmuan një xhami në Quebec të Kanadasë duke vrarë gjashte veta dhe plagosur tetë të tjerë.

Një zëdhënëse e policisë tha se dy veta janë arrestuar por nuk ka dhënë më shumë hollësi rreth identitetit apo motiveve të tyre.

Kryetari i Qendrës Kulturore Islamike në Quebec, tha se njerëzit ishin mbledhur për lutjet e mbrëmjes në kohën kur ndodhi sulmi. Sipas policisë aty ishin 53 veta.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, e dënoi ngjarjen si "sulm terrorist mbi myslimanët", duke nënvizuar se vendi i tij vlerëson diversitetin dhe tolerancën fetare.

"Myslimanët kanadezë janë pjesë e rëndësishme e strukturës sonë kombëtare dhe aktet e tilla të pakuptimta nuk kanë vend në komunitetet tona, qytetet dhe vendin tonë", - tha kryeministri Trudeau.

Në qershor të vitit 2016 një kokë derri ishte lënë në dyert e së njëjtës xhami.

Pas sulmit të së shtunës, kryetari i New Yorkut, Bill De Blasio, tha se departamenti i policisë së qytetit po ofron masa të shtuara mbrojtëse për xhamitë në qytet.

"Bashkëqytetarët e mi njujorkezë që janë myslimanë: qyteti i New Yorkut do t'ju mbrojë. Departamenti i Policisë së New Yorkut do t'ju mbrojë. Në do të luftojmë urrejtjen dhe paragjykimet", - shkroi ai në twitter.

XS
SM
MD
LG