Lidhje

Fergusoni ende në vështirësi dy vjet pas trazirave


Qyteti i Fergusonit në Mizuri ende nuk e ka marrë veten nga goditja ekonomike që shkaktuan protestat masive në gusht dhe nëntor 2014. Trazirat filluan pas vrasjes së një adoleshenti të paarmatosur afrikano-amerikan nga një polic i bardhë dy vjet më parë. Dhjetëra biznese u vandalizuan dhe u dëmtuan. Korrespondenti Chris Simkins ishte në Ferguson, ku vërejti shenja progresi, por njofton se komuniteti ende ka një rrugë të vështirë përpara:

Në drekë dhe në darkë njerëzit mblidhen në restorantin e Cathy Jenkins. Ajo dhe bashkëshorti i saj Jerome, bashkëpronarë të restorantit, thonë se biznesi i tyre po ecën shumë mirë, dy vjet pasi dhjetëra biznese të tjera në Ferguson u dëmtuan nga trazirat.

“Nuk mendoj se ndonjë biznes i vogël familjar do të kishte mbjetuar pa mbështetjen e komunitetit. Edhe kur përfundon rrëmuja, komuniteti është i domosdoshëm për të vazhduar punën. Por kaluam vështirësi,” thotë pronarja Cathy Jenkins.

Biznese të tjera u vandalizuan dhe nuk janë rihapur ende. Jerome thotë se ka nevojë për më shumë mbështetje ekonomike.

“Afrikano-amerikanët në komunitet kanë nevojë për kredi dhe mundësi të tjera investimi. Në këtë komunitet 82% e banorëve janë afrikano-amerikanë. Ne duhet të përfitojmë shumicën e mbështetjes,” thotë pronari Jerome Jenkins.

Në komunitet, nuk shihet shumë aktivitet për të rimëkëmbur ekonominë. Fondet shtetërore mungojnë. Bashkia aktualisht ka një deficit buxhetor prej disa miliona dollarësh, si rezultat i protestave të dhunshme pas vrasjes së Michael Brown. Drejtuesit në bashki thonë se rimëkëmbja do të kërkojë kohë.

“Nuk është e mjaftueshme të hapim një apo dy biznese. Nevojitet investim për të mobilizuar zhvillim ekonomik të fuqishëm. Disa ndërtesa duhen shembur e rindërtuar,” thotë De Carlon Seewood, menaxher bashkiak.

Që nga trazirat e 2014-tës, janë hapur 50 biznese të reja, një lajm i mirëpritur për këtë komunitet me ritme papunësie mbi 50%, sidomos në radhët e të rinjve. Cordell Lewis është menaxher në një dyqan kafeje, Starbucks. Kompania e fuqishme Starbucks donte të ndihmonte komunitetin dhe deri tani ka punësuar 26 banorë. Ata shesin në dyqan edhe produkte nga një pastiçeri e zonës.

“Tani që u hap një kafene Starbucks, njerëzit vijnë e na thonë ‘Faleminderit që keni ardhur. Na duhen biznese të tilla’. Më vjen mirë që ne ishim ndër të parët,” thotë menaxheri i Starbucks, Cordell Lewis.

Biznesi në dyqanin e biçikletave të pronarit Gerry Noll ra 35% pas trazirave, por që nga viti 2015 po shtohet klientela.

“Njerëzit thonin se Fergusoni kishte marrë fund. Se aktiviteti do të zhdukej dhe bizneset do të largoheshin Por nuk ndodhi ashtu,” thotë pronari Noll.

Jim Beachler thotë se megjithë problemet, kurrë nuk e mendoi të zhvendoste nga Fergusoni biznesin e tij të përpunimit të drurit. Ai thotë se bizneset kanë bashkuar forcat për të rindërtuar ekonominë lokale:

“Kemi një shoqatë biznesesh. Shkëmbejmë informacion me njëri-tjetrin për mundësi të reja që krijohen dhe për aktivitetet e njëri-tjetrit”.

Pronarë të tjerë thonë se me shtimin e biznesit, shpresojnë të hapin vende të reja pune për të fuqizuar komunitetin.

XS
SM
MD
LG