Lidhje

Qyteti sirian Manbij, një vatër e mundshme konflikti


Zyrtarët amerikanë po hedhin dyshime mbi pretendimet se forcat siriane po marrin nën kontroll qytetin verilindor Manbij, një vatër konflikti të mundshëm mes milicive kurde të mbështetura nga SHBA dhe Turqisë.

Në një deklaratë të premten, ushtria siriane tha se trupat e saj po lëviznin në qytet dhe po merrnin disa pika kyçe, duke shtuar se "kjo garanton siguri të plotë për të gjithë qytetarët sirianë dhe të tjerët atje".

Por koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që luftoi kundër grupit terrorist të Shtetit Islamik, u përgjigj në Twitter, duke thënë se "nuk ka parë asnjë shenjë se këto pretendime janë të vërteta".

"Ne i bëjmë thirrje të gjithëve që të respektojnë tërësinë e qytetit Manbij dhe sigurinë e qytetarëve të tij", tha koalicioni.

Një zyrtar amerikan i mbrojtjes i tha gjithashtu Zërit të Amerikës se dhjetëra forca të SHBA të stacionuara shumë pranë qytetit Manbij nuk kanë lëvizur.

"Ne ende kemi trupa atje", tha zyrtari, duke paralajmëruar se SHBA mbeten të përqendruara në tërheqjen e sigurt dhe të rregullt të trupave amerikane nga Siria.

Po të premten, një zëdhënës i kurdëve sirianë i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se trupat e SHBA nuk kanë ikur dhe se forcat siriane janë përhapur vetëm në disa zona në periferi të qytetit.

Qyteti Manbij, në kufirin sirian me Turqinë, ka qenë një pikë tensionesh mes Njësitë e Mbrojtjes Popullore të Kurdëve Sirianë (YPG), që janë milicia kryesore kurde siriane dhe një komponent kyç i forcave të mbështetura nga SHBA që luftojnë kundër ISIS-it. Ankaraja e sheh YPG si një organizatë terroriste e lidhur me kurdët brenda Turqisë.

Në qershor, Shtetet e Bashkuara ndërmjetësuan një marrëveshje me Turqinë, e cila kërkonte që YPG të tërhiqej nga qyteti Manbij, i cili do të mbrohet nga patrulla të përbashkëta të SHBA dhe Turqisë. Por Turqia ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe kurdët se nuk i kanë përmbushur angazhimet e tyre dhe po kërcënon të spastrojë YPG nga kjo zonë.

Të frikësuar nga një ndërhyrje turke, forcat kurde po i kërkojnë ndihmë Sirisë dhe Rusisë. Njoftimi i Sirisë për hyrjen në Manbij erdhi vetëm disa orë pasi YPG ftoi Presidentin sirian Bashar al-Assad të dërgonte forcat e tij.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të premten se, të paktën tani për tani, forcat e tij nuk kishin plane për të hyrë në Manbi.

Por zoti Erdogan shtoi se forcat turke janë ende të gatshme të hyjnë në Siri, nëse është e nevojshme.

Pavarësisht nga komentet e Presidentit Erdogan, kryengritësit sirianë të mbështetur nga Turqia thanë të premten se po vazhdonin të përparonin në Manbij me forcat turke dhe se ishin gati të luftonin, nëse ishte e nevojshme, "për të filluar operacionet ushtarake për të çliruar" qytetin.

Rusia, e cila ka kërkuar të ndërmjetësojë një marrëveshje për Manbijin midis Sirisë dhe milicive kurde që mbajnë qytetin, i mirëpriti zhvillimet.

Megjithatë, Moska po kërkon më shumë informacion nga SHBA dhe Presidenti Donald Trump lidhur me mënyrën se si dhe kur forcat amerikane do të tërhiqen nga Siria.

Pas një takimi me ministrin e jashtëm të Jordanisë, ministri i jashtëm rus Lavrov u tha gazetarëve se Rusia dëshiron "shpjegime konkrete" nga SHBA.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG