Lidhje

Rëndësia e zgjedhjeve në SHBA, për votuesit amerikanë në Izrael


Nga votimi i shtetasve amerikanë në Izrael

Rreth nëntë milion amerikanë jetojnë jashtë vendit - gjysmë milioni prej të cilëve në Izrael, ku vëzhguesit presin që një numër rekord të hedhë votën në mungesë për zgjedhjet e ardhshme presidenciale të Shtetet e Bashkuara. Linda Gradstein raporton për Zërin e Amerikës nga Jeruzalemi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump është figurë popullore në Izrael, pasi zhvendosi ambasadën amerikane në Jeruzalem, legalizoi vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor dhe së fundmi ndërmjetësoi marrëveshjet e paqes midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit respektivisht.

Të gjitha këto ndikuan në zgjedhjen e disa votuesve amerikanë në Izrael.

"Ai e dëgjon popullin hebre, e dëgjon Izraelin dhe e mbështet Izraelin", thotë Dorraine Gilbert Weiss, votuese republikane Izraelito-Amerikane.

Por votues të tjerë të majtë thonë se Presidenti Trump ka dëmtuar çdo shans për një marrëveshje paqeje me palestinezët.

"Së pari, mua nuk më duket se politika izraelite përfiton nga refuzimi i zotit Trump për t'u angazhuar me palestinezët dhe sipas mendimit tim kjo bie ndesh me atë që duhet të ndodhë në politikën izraelite. Por unë me të vërtetë besoj se Izraeli ka nevojë për një SHBA të fortë dhe sa më gjatë të jetë Trump në krye, aq më pak të fuqishme bëhen Shtetet e Bashkuara si faktor”, thotë Ilana Blumberg, votuese demokrate Izraelito-Amerikane.

Si demokratët edhe republikanët që jetojnë në Izrael, thonë se kanë parë më shumë interes për këto zgjedhje se sa ç’mbajnë mend për një kohë të gjatë.

"Po shohim një valë të madhe interesimi. Para masave të izolimit, kjo valë interesimi shihej edhe nëpër rrugë. Ne bëjmë regjistrimin e votuesve në të gjithë vendin dhe ka një interes të jashtëzakonshëm - numri i anëtarëve në rritje, mbledhja e fondeve, të gjitha janë në rritje", thotë Elana Sztokman, e Demokratëve Jashtë Vendit, në Izrael.

Republikanët në Izrael besojnë se fletëvotimet e tyre në mungesë mund të ndikojnë në rezultatet e shteteve të pavendosura.

"Në vitin 2000, kur u përcaktua presidenti nga 537 fletëvotime nga 3 qarqet jugore të Floridës, në ato qarqe jugore të Floridës në vitin 2000, kishim 1,200 votues izraelitë në mungesë. Prandaj, nëse ata nuk do të kishin votuar për George Bushin - ose për këdo që votuan, por shumica votuan për George Bushin - ai nuk do të ishte bërë President i Shteteve të Bashkuara. /// Ne kemi dhjetëra mijëra, ndoshta midis 20 deri në 30,000 vota të Floridës, vetëm këtu në Izrael", thotë Marc Zell, i Republikanëve Jashtë Vendit, në Izrael.

Zgjedhjet e 3 nëntorit të këtij viti po mbahen në mes të pandemisë COVID-19 dhe zyrtarët në Shtetet e Bashkuara parashikojnë që një numër shumë më i lartë se zakonisht votuesish të votojnë në mungesë, brenda dhe jashtë vendit. Me rreth 200,000 amerikanë në Izrael me të drejtën e votës, fletët e votimit në mungesë prej tyre, vërtet mund të ndikojnë tek rezultati.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG