Lidhje

Rënie rekord e çmimit të naftës


Karnes City, Texas

Çmimet e naftës së papërpunuar në SHBA ranë në nivelin më të ulët në histori, për shkak të rënies së kërkesës si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Nafta e papërpunuar e llojit West Texas Intermediate (WTI) për livrim në muajin maj ra në nivelin më të ulët në histori, duke kaluar madje në shifra negative, -40 dollarë për fuçi.

Në fillim të vitit 2020, një fuçi naftë WTI kushtonte rreth 60 dollarë.

Fenomeni i çuditshëm i çmimit negativ u ndikua gjithashtu nga mënyra se si përcaktohet vlera e naftës në treg.

Tregtarët paguajnë çmime të ndryshme në varësi të shkallës së naftës së papërpunuar, zona se nga nxirret dhe data në të cilën është e destinuar të livrohet. Zakonisht, këto dallime janë të vogla, por të hënën ato ishin të mëdha pasi edhe lëkundjet e çmimit ishin të pazakonta.

Kontratat për muajin maj të naftës bruto WTI që skadojnë të martën u goditën më së shumti, pasi kanë të bëjnë me karburantin që do të livrohet në një kohë kur pjesa më e madhe e vendit është e mbyllur për shkak të koronavirusit.

Fakti që çmimi i kësaj nafte ra nën zero, nënkupton në thelb se ajo naftë nuk ka vlerë, pra njerëzit që e kanë për ta shitur janë të gatshëm të paguajnë që dikush tua marrë falas.

Llojet e tjera të naftës së papërpunuar nuk patën rënie në këto nivele.

Nga rafineritë dhe rezervuarët amerikanë të naftës ka pak kërkesë dhe cisternat e ruajtjes janë mbushur në kapacitetin e tyre të plotë.

Disa analistë thonë se çmimet do të vazhdojnë të jenë nën presion.

Pandemia e koronavirusit i ka dhënë një goditje të fortë aktivitetit ekonomik në mbarë botën dhe ka ulur ndjeshëm kërkesën për naftë. Në fillim të këtij muaji OPEC-u dhe aleatët e tij prodhues të naftës arritën një marrëveshje historike për të ulur prodhimin me 9.7 milion fuçi në ditë duke filluar nga 1 maji. Por shumë analistë thonë se kjo nuk do të jetë e mjaftueshme.

Me rënien jashtëzakonisht të shpejtë të kërkesës botërore, vendet dhe kompanitë prodhuese e kanë të pamundur të përballojnë ritmin e shkurtimit të prodhimit.

Kjo po krijon sasi gjigande nafte që nuk tregtohet, duke sjellë shqetësime se blerësit do ta kenë fizikisht të pamundur ta ruajnë atë nëpër cisterna.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG