Lidhje

Rama: Do të bashkëpunojmë për ato çështje ku na bashkon Shqipëria

  • Arben Xhixho

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama foli në një intervistë për Zërin e Amerikës për përparësitë e qeverisë së tij dhe situatën politike dhe ekonomike në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, në fjalën tuaj sot ju thatë që Shqipëria do të bëjë pjesën e saj për ta bërë të ardhmen dhe botën tonë më të mirë. Dhe kuptohet ndihmesën kryesore ju mund ta jepni në vendin tuaj. Ju sapo keni filluar mandatin e dytë katër vjeçar të qeverisjes dhe mandati që keni marrë ketë herë nga votuesit mund të cilësohet si ndër më të fuqishmit e qeverive pas-komuniste në Shqipëri. Në katër vjeçarin e kaluar ju u jeni përgjigjur kritikave shpesh se gjendja e vendit ishte shumë e keqe nga qeverisja demokrate dhe më pas keni fajësuar edhe aletatin në koalicion LSI-në. Tanimë që keni gjithë votat e mjaftueshme, çfarë ndryshimi pritet të shohim?

Edi Rama: Së pari duke vlerësuar një trashëgimi të rënduar të së shkuarës nuk do të thotë se kemi fajësuar apo kam fajësuar, persona apo subjekte të veçanta. Nga ana tjetër unë e kam vlerësuar dhe gjithmonë do ta vlerësoj çka koalicioni i mandatit të parë ka bërë në funksion të një sërë reformash që ndryshe do të kishin qenë të pamundura. Sigurisht që edhe vota e 25 qershorit e nxorri në pah shumë qartë, një faqe e re është hapur dhe ne do të bëjmë çmos që ta shkruajmë këtë faqe të re me ndershmëri, me atdhe-dashuri dhe me dinjitet, në funksion të një Shqipërie më të mirë, me një ekonomi më të fortë, me më shumë punësim real, më shumë investime të huaja dhe natyrisht me shërbime shumë më dinjitoze për qytetarët, duke filluar nga shërbimet më të thjeshta në sportele, deri tek shërbimet e rëndësishme publike, arsimi, shëndetësia e me radhë.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, në fjalën tuaj në parlament ju u shfaqët me tone paqtuese ndaj opozitës duke e ftuar që së bashku të diskutoni për cështjet me rëndësi për vendin. Por ka një mosbesim të madh ndaj jush. Kryetari demokrat Lulzim Basha ka përsëritur disa herë se marrëveshja e majit mes jush ka vdekur. LSI është gjithashtu po aq e ashpër ndaj jush. Sa janë shanset që klima politike në Shqipëri të ndryshojë.

Edi Rama: Secili zgjedh qasjen dhe rrugën e vet. Por një gjë është e sigurtë që asnjë qasje dhe asnjë rrugë nuk mund të përjashtojë Shqipërinë dhe faktin që Shqipëria ka nevojë për të gjithë. Kjo është qasja jonë. Kjo është rruga jonë dhe ne do të vazhdojmë të këmbëngulim që në çdo rast kur paraqitet mundësia, të ftojmë palët e tjera në një bashkëpunim në të mirë të vendit, pasi vendi ka humbur shumë kohë me konflikte dhe me protagonizma që në fund fare nuk është se kanë sjellë ndonjë vlerë të shtuar. Është koha për tu bërë bashkë për Shqipërinë në ato çështjë ku Shqipëra na bashkon ndërkohë që padyshim jemi të ndarë në shumçka na bën të ndryshëm për fat të mirë. E për shumëçka që jemi të ndarë, do vazhdojmë të përplasemi në llogoret tona. Është shumë e thjeshtë.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër këto ditë në Tiranë, qindra banorë të Shkozës po ankohen për prishjen e shtëpive. Shkoza duket se simbolizon në një fare mënyre gjithë ato problem të ndërlikuara të shkaktuara gjatë viteve në Shqipëri me çështjen e pronave. Kryetari i bashkisë së Tiranës tha se përgjegjësia e bashkisë është vetëm nga ana sociale. Një nga anakesat e përbashkëta të banoprëve është mënyra si u soll shteti me ta, pa u dhënë një njoftim zyrtar që të ankimoheshin në gjykata, disa ankohen për legalizime selektive, të tjerë thonë se projekti është ndryshsuar dhe tani duhen prishur më shumë shtëpi, pra ka një pakënaqësi ndaj një lloj arrogance të shtetit ndaj tyre. A keni ndonjë koment për rastin e tyre?

Edi Rama: Shkoza nuk përfaqëson asgjë dhe nuk meriton, besoj, koment deri në Nju Jork dhe në Uashington. Megjithatë, ju e bëtë pyetjen dhe unë po ju përgjigjem. Është një proces si shumë procese të tjera. Ka qenë dhe mbetet e domsodoshme që të shemben ndërtimet pa leje aty ku pengohet zhvillimi i infrastrukturës për të mirën e përbashkët. Dhe kush ka ndërtuar pa leje, duke zënë akset kryesore, duke zënë hapësirat e zhvillimi, patjetër që nuk mund të pretendojë as të përkdhelet, as të dëmshpërblehet, as të shpronësohet, por thjeshtë duhet dhe meriton të trajtohet me kujdes duke mos e lënë të pastrehë, po duke i dhënë mundësinë e një qiraje të paguar nga kolektiviteti, pra nga i gjithë komuniteti për një periudhë të caktuar, derisa familjet pastaj të jenë në gjendje të akomodohen aty ku ato do të gjejnë mundësitë të akomodohen me forcat e tye. Kjo është Shkoza dhe pasaj historitë me arrogancë me propotencë, me shtet-shurdhë dhe me shtet-çorrë janë histori që realisht nuk kanë vend. Shteti ka detyrë t’u shërbej qytetarëve dhe të mbështesë të gjithë procesin transformues për të pasur një Shqipëri me shtet, me punë dhe me mirëqenie. Të bësh shtet, të bësh punë, dhe të bësh mirëqënie nuk ka shumë rrugë. Rruga është e qartë. Dhe në këtë rrugë sigurisht do të ketë edhe shqetësime të kësaj natyre. Por këto janë shqetësime që i përkasin një pakice shumë të vogël në krahasim me rëndësinë madhore që zgjidhja e këtyre problemeve ka për shumicën.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, pas thuajse një viti, dekreti i ish-presidentit Bujar Nishani i cili rrëzon të ashtuquajturin ligj për improtin e mbetjeve për qëllim riciklimi, është futur në programin e parlamentit. Megjithatë kryetari i grupit tuaj parlamentar deklaroi se do ta tërhiqni. Pse ky ndryshim qëndrimi? Dhe si do të realizohet konkretisht pasi dekreti i presidentit duhet të votohet nga parlamenti. Cili është plani i qeverisë tuaj, ta miratoni dekretin pra rrëzimin e projekt-ligjit të tanishëm dhe më pas të hartoni një ligj të ri për këtë çështje?

Edi Rama: Kryetari i grupit ka qenë shumë i qartë. Ne do të rikthejmë një diskutim të gjërë dhe shterrues me publikun për këtë temë, të cilën lloj-lloj sharlatanësh, lloj-lloj karagjozësh, lloj-lloj politiko-çakejsh në kazanin politik dhe mediatik kërkojnë të fitojnë pikët e tyre duke mashtruar publikun. Dhe, patjetër në respekt të ndjeshmërisë së lartë dhe të drejtë të publikut, ne do të marrim të gjithë kohën e nevojshme që njerëzit ta kuptojnë që këtu nuk bëhet fjalë fare për gjithshka kazani mediatik dhe politik vorbullon në funksion të axhendave tërësisht politike vetjake, por bëhet fjalë thjeshtë vetëm për një proces modernizues evropian të Shqipërisë dhe për mundësinë që Shqipëria të ketë një kapacitet riciklues të mbetjeve të gjelbërta siç e kanë të gjitha vendet e tjera. Ne jemi i vetmi vend që nuk e kemi. Megjithatë, nuk ka urgjencë dhe qentë le të lehin dhe karvani do të ecë përpara.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, në programin e parlamentit është dhe një projektligji për dekoratat gjatë kohës së diktaturës, i propozuar nga ju dhe zoti Balla, që në fundin e 2015, për të cilin gjithashtu u njoftua tërheqja. Si mund të shpjegohet një ndryshim i tillë qëndrimi brenda një kohë kaq të shkurtër, sapo propozimi përfshihet në program, ju e tërhiqni?

Edi Rama: (qesh) Nuk është sapo, ju e thatë vetë ka një kohë të gjatë dhe kërkon një rishikim në funksion të nevojës për ta përmirësuar edhe më shumë atë nismë ligjore, kështu që në fund të fundit nuk kemi pse çuditemi. Përkundrazi, janë lajme të mira kur një shumicë, siç thatë edhe ju e fuqishme, e dalë nga vota e popullit, ka dhe kapacitetin të reflektojë në funksion të respektit për ndjeshmërinë e njerëzve, dhe në funksion të respektit për veten në mënyrë që çdo nismë të jetë sa më e përsosur dhe sa më aktuale. Është shumë e thjeshtë.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, vitin e kaluar ju mbyllët një marrëveshje 3 vjeçare me FMN-ën. Cila do të jetë marrëdhënia e mëtejshme me këtë institucion? Do të jetë ajo klasikja në bazë të artikullit 4 që ka çdo vend anëtar, apo do kërkoni një marrëveshje tjetër, por me terma më lehtësues nga jo e mëparshmja?

Edi Rama: Është një program i ri, që është brenda le të themi portofolit të FMN-së, nuk është vazhdimi i të njëjtit program, edhe është krejt normal në një process ku tanimë ne kemi garantuar një stabilitet shumë të qëndrueshëm makroekonomik dhe ku padyshim roli i FMN-së nuk është aq i pranishëm sa ç’ishte, por mbetet i nevojshëm pasi është një partner i rëndësishëm në një proces ku ne kemi nevojë të bëjmë përparime edhe më të mëdha.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, një nga pikat e marrëveshjes së majit me PD ishte ajo për reformën zgjedhore. PD kërkoi zyrtarisht ngritjen e një komisioni parlamentar për këtë çështje. A do të kërkojë PS ndryshimit e sistemit aktual proporcional-rajonal?

Edi Rama: Së pari njëherë, ne nuk kemi asnjë arsye që të hymë në detaje. Së dyti, Partia Demokratike duhet të mësojë që ka të gjitha të drejtat të kërkojë por ka edhe detyrimin të dëgjojë dhe të plotësojë le të themi edhe kërkesat e pales tjetër në mënyrë që të ketë dialog. Dhe ne nuk mund të ecim me menunë e parapërcaktuar nga Partia Demokratike por sigurisht duhet të ecim në një proces ku palët ndërveprojnë dhe mirëkuptohen duke përfshirë në axhendën e dialogut çështje të një rëndësie të përbashkët sipas këndvështrimeve të tyre. Me këtë dua të them që e mirëkuptojmë plotësisht kërkesën e Partisë Demokratike por tryeza e dialogut nuk mund të jetë një tryezë, siç e thashë, me një menu të përcaktuar nga njëra palë. Tryeza e dialogut duhet të përfshijë disa tema, ku reforma zgjedhore patjetër që është shumë e rëndësishme dhe ne jemi gati që të përfshihemi në të, por nuk do të ecim në këtë proces sipas ritmit të Partisë Demokratike por sipas një ritmi të dakortësuar së bashku në se vërtet Partia Demokratike do dialog.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama ju jemi shprehur më parë se do të bashkëpunoni me Turqinë për të krijuar një linjë ajrore me flamur shqiptar. Në maj të këtij viti ju deklaruat se shpresonit se në harkun e këtij viti do të nisnin fluturimet e para dhe se brenda tre muajve do të jepnit në detaje të tjera. Ku ndodhet ky proces?

Edi Rama: Kur të vijë koha, do t’ja u japim hollësitë e tjera.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG