Lidhje

PS në përgatitjet për marrjen e përgjegjësive shtetërore


Partia Socialiste është duke hedhur hapat e parë publikë drejt marrjes së përgjegjësive shtetërore, vetëm dy javë pas zgjedhjeve të përgjithshme nga doli fituese. Kryetari i saj, Edi Rama, takoi dje në mbrëmje prokurorin e përgjithshëm, Adriatik Llalla, mes të cilëve, sipas njoftimeve, është biseduar mbi bashkëpunimin institucional dhe gjendjen e kriminalitetit në vend. Pas vizitës që bëri në prokurorinë e përgjithshme, zoti komentoi thjeshte se takimi me zotin Llalla ishte pozitiv.

Pak orë më parë ai quajti po ashtu “takim pozitiv” edhe bisedën me presidentin e Republikës, Bujar Nishani, sipas njoftimeve, mbi “bashkëpunimin institucional dhe tranzicionin e butë të pushteteve, pas fitores së koalicionit të majtë në zgjedhjet e 23 qershorit”. Edhe njoftimi po aq i shkurtër i zyrës së presidentit përmbante pakashumë të njëjtat fjalë mbi bashkëpunimin institucional.

Socialistët kanë shprehur shqetësim këto ditë se qeveria e zotit Berisha në javët e fundit të punës po merr vendime të rëndësishme me kosto financiare, ndonëse duhet të bënte vetëm administrimin e thjeshtë shtetëror, deri në shtator kur vjen qeveria e të majtëve. Përfaqësues të tyre deklaruan se një qeveri në ikje nuk marrë vendime për rritje pagash e pensionesh, fatura të cilat do t'i përkasin një kabineti të ri qeveritar. Por demokratët pohuan se vendimi për rritje pagash e pensionesh në mes të vitit është një vendim rutinë i këtyre 8 vjetëve, fatura e të cilit është parashikuar në buxhetin e këtij viti të miratuar në dhjetor. Po ashtu socialistët nuk i kanë pritur mirë vendimet e fundit qeveritare për leje koncesionare mbi hec-e të vogla, ndërkohë që ata kanë paralajmëruar një rishikim tërësor të qindra lejeve të dhëna më parë.

Njëra palë po feston fitoren dhe po zgjedh ministrat e rinj, ndërsa pala tjetër po zgjedh kryetarin e ri që do të udhëheqë të djathtët në opozitë. Demokratët vendosën të votojnë për kryetarin e tyre më 22 korrik sipas parimit një anëtar një votë midis kryetarit të bashkisë Lulëzim Basha dhe ministrit të transporteve Sokol Olldashi. Ndërkohë që parlamenti është shpërndarë deri në shtator dhe partitë politike po përshtaten me rolet e reja, që u dhanë votuesit në zgjedhjet e 23 qershorit, institucionet e pushteteve të tjera po përpiqen të bëjnë detyrat e tyre të pandikuar nga atmosfera paszgjedhore. Presidenti Nishani pritet të marrë pjesë sot në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku është kryetar, dhe ku veç rendit të ditës, është mësuar se ai do të mbajë një mesazh të rëndësishëm për zhvillimet e fundit në Shqipëri.
XS
SM
MD
LG