Lidhje

Shqipëri, opozita premton model të ri ekonomik


Edi Rama
Edi Rama

Socialistët organizojnë një konferencë për gjendjen ekonomike dhe akuzojnë qeverinë se e ka cuar vendin drejt rrënimit

Në Shqipëri partia socialiste deklaroi sot se sipas saj ekonomia e vendit është në rrënim. Forca kryesore e opozitës e cila ka hyrë në fazën paraelektorale, organizoi sot një konferencë kushtuar situatës ekonomike, gjendjes së saj dhe zgjidhjeve që ajo premton të ofrojë në rast të marrjes së pushtetit në 2013. Sipas kryetarit Edi Rama, socialistët nuk premtojnë zgjidhje brenda ditës, por vetëm ato çka ata mund të realizojnë.


Borxhi publik, varfëria, punësimi, korrupsioni, privatizimet, taksat ishin në qendër të takimit që socialistët zhvilluan sot në Tiranë për situatën ekonomike të vendit e cila sipas kryetarit Edi Rama është e rrënuar: “Qeveria po e falimenton ekonominë me një model mbytës, të cilin e ka zgjedhur qoftë se është e verbër ideologjikisht por qoftë edhe sepse është babëzitur organikisht. Dhe sot ekonomia kombëtare, si dhe ekonomia familjare e njerëzve të zakonshëm gjendet nën peshën mbytëse të korrupsionit më të madh në historinë e shtetit shqiptar”.

Figura të njohura të socialistëve në fushën e ekonomisë bënë një analizë të detajuar të gjendjes që nga ajo e familjeve shqiptare deri te ajo e biznesve, të cilave sipas opozitës po u merret fryma cdo ditë, ndërsa akuzoi qeverinë për favorizim të një grupi të vogël sipërmarrësish. Një vëmendje e vecantë ju kushtua privatizimeve, temë kjo e ditës edhe për shkak të procesit për shitjen e Albpetrolit apo katër hidrocentraleve për të cilat dje nuk u paraqit asnjë ofertë. “Ky është “Atdheu” privat sipas modelit Berisha. Rregulli i tij është “privatizimi i fitimeve” në favor të një grushti kompanishë dhe shtetëzimi i humbjeve në dëm të shtetit. Privatizimi, pavarësisht pretendimeve për të thithur investime të nevojshme për zhvillimin e sektorëve strategjikë, përmirësim të shërbimit, uljes së kostos së këtij shërbimi për qytetarin, luftës dhe eleminimit të korrupsionit në ofrimin e këtyre shërbimeve, rezulton një dështim spektakolar”, deklaroi deputeti Erion Brace.

Kryetari socialist tha nga ana tjetër se hapësirat për të ndryshuar situatën janë të mëdha duke saktësuar se opozita sjell sipas tij një vision tërësisht të ndryshëm dhe se premton vetëm atë cfarë mund ta realizojë: “Askujt nuk do t’I premtojmë parajsën, askujt nuk do i premtojmë se sa hap e mbyll sytë Shqipëria që kemi do t’ja lerë vendin Shqipërisë që duam, por të gjithëve do t’u japim garancinë se do të jemi të parët që do të bëjmë atë që themi, dhe do të themi vetëm atë që mund të bëjmë”.

Panorma e ofruar nga socialistët është tërësisht e ndryshme nga ajo e qeverisë e cila ndonëse pranon efektet e krizës botërore, shprehet se ekonomia e vendit ka dëshmuar sipas saj qëndrueshmëri. Në një situatë kur ekonomia është tema e nxehtë në të gjithë botën, duket se ajo do të përbëjë edhe fokusin e përplasjes së fushatës së ardhshme për zgjedhjet e 2013, e cila duket se ka nisur që tani.
XS
SM
MD
LG