Lidhje

Tiranë: Forumi Ekonomik i Vjenës diskuton projektet rajonale shumëpalëshe


Kryeministat e Ballkanit morën sot pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, ku diskutuan mbi vështirësitë ekonomike të rajonit dhe projektet për bashkëpunim dhe investime rajonale me mbështetjen e Bashkimit Europian.

Kryeministrat e Maqedonisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës dhe Shqipërisë u mblodhën në Tiranë për të shkëmbyer mendime mbi të ardhmen europiane të vendeve të tyre, duke bashkëpunuar fillimisht mes tyre.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se në kufijtë midis tyre nuk ka tashmë asnjë konflikt, se nuk është koha për të khtyer kokën pas dhe se duhet të hapin një fazë të re dialogu dhe punësh të përbashkëta, sepse edhe sfidat janë të përbashkëta.

“Ne po garojmë në faza të ndryshme për integrimin europian. Nuk mund të ecim vetëm dhe duhet të ecim së bashku, sepse Ballkani dhe Europa janë shtëpia jonë e përbashkët” - tha zoti Rama.

Zoti Rama u përqëndrua më tepër në ndërtimin e infrastrukturës dhe ndërlidhjet mes vendeve ballkanike, duke i quajtur ato si thelbi i angazhimeve të të gjitha palëve. Zoti Rama tha se Ballkani është shumë i vogël për të konkurruar mes vetes.

“Nëse Europa ka një lodhje nga zgjerimi dhe vështirësitë e tjera, ne duhet të përballojmë me durim lodhjen nga pritja, ndaj nuk duhet ta lejojmë këtë lodhje, që të bëhet armiku i rrugës tonë të integrimit” - tha ai.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se në Beograd ka rënë pak popullariteti BE dhe njerëzit janë lodhur nga pritja. Ai theksoi se Ballkani është një treg me 20 milionë banorë dhe duhet të kujdeset për veten, të bashkëpunojë dhe t'i kërkojmë BE-së fondet që i nevojiten. Dhe nëse BE nuk financon projektet e Ballkanit, atëherë ata mund të punojnë me fondet e veta.

Zoti Vuçiç tha se Ballkani ka tregjet e veta dhe nëse nuk del dot në BE, mund të dalë në tregjet e treta, të krahasueshme me veten. Ai theksoi me shqetësim se vendet e Ballkanit janë eksportueset më të mëdha të rinisë, një dukuri që duhet ndalur bashkarisht. Ne nuk duam të jemi pjesa më e varfër e BE-së - tha ai, duam të arrijmë sukses, por nuk mund të bëjmë reforma të vecuara pa një bashkëpunim rajonal.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, tha se Ballkani është në një fazë, kur mospajtimet duhet t'i kthejë në ura bashkëpunimi. “Secili vend ka specifikat e veta, por tregjet tona nuk përputhen me BE. Ne kemi ndërtuar autostradën që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe duam që ajo të vazhdojë për të na lidhur me Serbinë dhe për të bashkëpunuar më ngushtë” - tha zoti Mustafa, duke shtuar se infrastruktura e përbashkët do të nxitë turizmin, tregtinë ekonominë dhe zhvillimin.

Kryeministri i Malit të Zi, Milo Đukanoviç, tha se Ballkani duhet të vazhdojë përpjekjet për integrim në BE, por nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa qëndrueshmëri.

“Duhet të shuajmë konfliktet, sepse përndryshe do të mbetemi vulnerabël, ndërkohë që edhe ekonomia globale ende është e brishtë dhe eurozona është në vështirësi. Asnjë nga ne nuk mund të ecë vetë” - tha zoti Đukanoviç. Ai theksoi se vendet e Ballkanit ende nuk janë integruar brenda vetes, ndaj duhen shtuar lidhjet brenda rajonit, pastaj ato drejt BE-së.

Kryeministri i Bosnje-Hercegovinës Denis Zvizdiç, u përqëndrua më shumë në ndërtimin e korridoreve që kalojnë nga vendi i tij. Ai shprehu interes që të vazhdojë ndërtimi i autostradës adriatiko-joniane, që kalon përmes Bosnje-Hercegovinës, po ashtu edhe projekti për t'u lidhur me Serbinë me hekurudhë, ndërkohë që 5 autostrada e lidhin Bosnjen me bregdetin.

Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, tha se të gjithë vendet e rajonit janë orientuar drejt integrimit në BE, edhe pse e dinë që Bashkimi nuk do të zgjerohet deri në fund të kësaj dekade.

"Procesi i integrimit duhet të vazhdojë, por shtyrja pa fund nuk është zgjidhje, krijon probleme në dëm të rajonit" - tha zoti Gruevski. Ai tha se Maqedonia e përqëndruar te reformat, por udhëheqësit politikë të rajonit duhet të jenë të kujdesshëm me mesazhet publike, sepse mesazhet e pasakta mund të sjellin probleme.

Zoti Gruevski tha se Maqedonia duhet të nisë sa më parë negociatat me BE-në, dhe se duhen më shumë përpjekje për të arritur standartet europiane. Maqedonia është e përkushtuar me Korridorin 8 dhe 10 si dhe ka nevojë për investime me rëndësi në energji dhe hekurudha.

Kryeministrat e vendeve të tjera ballkanike kërkuan mbështetje nga fondet e Bashkimit Europian për projektet e përbashkëta infrastrukturore të Ballkanit. Sipas tyre, rajoni ka nevojë si asnjëherë më parë për fondet europiane, që të zhvillohet dhe të bëhet gati për fazat e tjera të integrimit në tregjet dhe jetën e kontinentit.

XS
SM
MD
LG