Lidhje

Raporti Mueller, çfarë pritet më pas?


Një version i redaktuar i raportit të prokurorit të posaçëm Robert Mueller
Një version i redaktuar i raportit të prokurorit të posaçëm Robert Mueller

Raporti prej 448 faqesh i prokurorit të posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 u bë publik të enjten.

Ai mbulon një hetim 22-mujor që Presidenti Donald Trump e cilësoi në mënyrë të përsëritursi një "gjueti shtrigash".

Hetimi nuk gjeti prova se grupi i fushatës Trump në vitin 2016 u angazhua në një konspiracion kriminal me Rusinë. Gjithashtu, zoti Mueller nuk ishte në gjendje të konkludonte nëse Presidenti Trump kishte kryer pengim të drejtësisë.

Prokurori i Përgjithshëm, kreu i Departamentit të Drejtësisë, William Barr, më vonë arriti në përfundimin se Presidenti Trump nuk kishte kryer ndonjë shkelje të tillë, por raporti Mueller tregon për 10 episode që përfshinin zoti Trump dhe bënte vlerësime për të demonstruar nëse kishte patur apo jo pengim të drejtësisë.

Trump Russia Probe
Trump Russia Probe

Ja cilat mund të jenë hapat e ardhshëm në këtë sagë që ka ndjekur këmbë pas këmbe zotin Trump që nga zgjedhja e tij dhe që ka të ngjarë të vazhdojë në vitin 2020 kur ai të përpiqet për t’u rizgjedhur:

ZGJEDHJET E VITIT 2020

Zoti Trump mund të përpiqet të bëjë fushatë duke përdorur si temë hetimin e zotit Mueller, për të cilin shumë republikanë të tjerë mendojnë se ishte një përpjekje e FBI-së për ta larguar presidentin nga skena. Deviza e tij se hetimi ishte një gjueti shtrigash për të hequr një president të zgjedhur në mënyrë demokratike, mund të ketë efekt në mobilizimin e mbështetësve të tij, shumë prej të cilëve tashmë janë dyshues ndaj Uashingtonit, që ata ta mbështesin për një mandat të dytë.

Presidenti Trump nuk humbi kohë të enjten për të marrë në dorë iniciativën politike. Pak orë para se të publikohej raporti Mueller, ai shkroi në Twitter: "Mashtrimi më i madh politik i të gjitha kohërave! U kryen krime nga Mashtruesja, nga Policët e Ndyrë dhe Komiteti Kombëtar Demokrat/Nga Demokratët".

Kandidatët demokratë për president kanë folur pak për hetimin e zotit Mueller, i cili e ka ndarë thellë Amerikën, tashmë të polarizuar. Pyetja tani është nëse publikimi i raportit do t'i joshë ata të komentojnë, edhe pse kjo për ta rrezikon hapjen e një lufte të ashpër dhe ndoshta humbjen e betejës në Twitter me zotin Trump.

Trump Russia Probe
Trump Russia Probe

Sondazhet tregojnë se votuesit janë shumë më të shqetësuar për çështjet ekonomike sesa për hetimet. Si rezultat, mund të ketë pak përfitime për kandidatët demokratë, veçanërisht në zonat me votues të moderuar, nëse ata përpiqen të nxjerrin avantazhe politike nga raporti.

DISTRIKTI JUGOR I NJU JORKUT

Prokurorët federalë në distriktin jugor të Nju Jorkut po shqyrtojnë praktikat e biznesit dhe marrëdhëniet financiare të zotit Trump, sipas dëshmisë së dhënë në Kongres në muajin shkurt nga ish avokati i zotit Trump Michael Cohen, i cili përballet me një burgim trevjeçar për krime lidhur me disa pagesa të bëra për gratë që pohon se kishin pasur marrëdhënie intime me zotin Trump.

Prokurorët kanë më tepër hapësirë hetimi se sa prokurori i posaçëm Mueller dhe ata veprojnë të pavarur prej tij. Paditë e reja nga prokurorët federalë në Nju Jork mund ta lënë në hije raportin e zotit Mueller.

Në raportin e tij, Mueller vë në dukje se ka bërë 14 referime penale që ishin jashtë fushëveprimit të autoritetit të prokurorit të posaçëm.

Raporti thotë se një numër dëshmish u janë dërguar "autoriteteve të duhura ligjzbatuese,” kryesisht zyrave të tjera brenda Departamentit të Drejtësisë dhe FBI-së.

PROCEDURA SHKARKIMI KUNDËR PRESIDENTIT?

Shanset që demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve të nisin procedura për shkarkimin e Presidentit Trump u pakësuan ndjeshëm muajin e kaluar kur zoti Barr njoftoi se Mueller nuk kishte gjetur prova për bashkëpunim me Rusinë.

Por detajet e gjetjeve të zotit Mueller mund të shtojnë karburant të ri për nisjen e procedurave të shkarkimit që janë ndërmarrë vetëm tre herë në historinë e SHBA.

FILE - Robert Mueller, as FBI director, testifies before the House Judiciary Committee hearing on Federal Bureau of Investigation oversight on Capitol Hill in Washington, June 13, 2013.
FILE - Robert Mueller, as FBI director, testifies before the House Judiciary Committee hearing on Federal Bureau of Investigation oversight on Capitol Hill in Washington, June 13, 2013.

Një përpjekje e tillë do të përqëndrohej te nocioni nëse zoti Trump mund të ketë kryer "krime dhe kundërvajtje të shkallës së lartë". Ky është një përkufizim i gjërë që i jep Kongresit një hapësirë më të madhe sesa mandati hetues i zotit Mueller, që është më i ngushtë.

Megjithatë, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, demokratja më e lartë e vendit, tha pak javë para publikimit të raportit se ajo është kundër nisjes së procedurave të shkarkimit, duke thënë se kjo do të ishte tepër përçarëse për vendin. Duke pasur parasysh se deri tani asnjë republikan nuk ka treguar interes për nisjen e procedurave të tilla, çdo përpjekje e tillë do të dështonte menjëherë në Senat, pasi për të shpallur fajtor presidentin do të kërkohej mbështetja e senatorëve.

Megjithatë, disa demokratë liberalë kanë vazhduar të bëjnë presion për nisjen e procedurave të shkarkimit.

THIRRJA NË DËSHMI E ZOTIT BARR DHE MUELLER

Prokurori i Përgjithshëm William Barr, zyrtari më i lartë i zbatimit të ligjit në vend, është planifikuar të dëshmojë përpara Komisionit të Drejtësisë në Dhomën e Prfaqësuesve më 2 maj. Demokratët do të përpiqen të gërmojnë më thellë në gjetjet e zotit Mueller, ndërsa republikanët mund ta mbrojnë Presidentin Trump dhe të argumentojnë se rezultatet e raportit e vërtetojnë këtë.

Zoti Mueller pritet të dëshmojë në një seancë të hapur dëgjimore në Kongres, por pas dëshmisë së Prokurorit të Përgjithshëm Barr.

TAKSAT E PRESIDENTIT

Përveç shqyrtimit të gjetjeve të zotit Mueller, demokratët po ndjekin rrugë të tjera që Kongresi të hetojë marrëdhëniet e biznesit të zotit Trump para se ai të zgjidhej president.

Për shembull, një Komision i Dhomës ka caktuar 23 prillin si afat që Agjencia e Taksave pranë Departamentit të Thesarit të sigurojë dosjet për taksat individuale dhe të biznesit të zotit Trump që përfshijnë një periudhë gjashtëvjeçare. Demokratët mendojnë se dosjet mund të japin të dhëna për marrëdhëniet e mundshme të biznesit të zotit Trump me Rusinë.

Mosrespektimi i këtij afati mund të bëjë që Dhoma të mbajë përgjegjës zyrtarë të administratës për shpërfillje të Kongresit, duke çuar në manovra ligjore për ta detyruar agjencinë të zbatojë kërkesën.

HETIME TË TJERA TË KONGRESIT

Komisioni i Senatit për Inteligjencën i drejtuar nga republikanët ende nuk i ka publikuar rezultatet e hetimit të tij të thellë për rolin e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016. Kjo mund të ndodhë më vonë këtë vit.

Ndërkohë, Komisioni i Dhomës për Inteligjencën po vazhdon hetimin e tij tani që demokratët janë në kontroll.

Komisionet e Inteligjencës, Punëve të Jashtme dhe Mbikëqyrjes kanë kërkuar dokumente në lidhje me bisedat e zotit Trump me Presidentin rus Vladimir Putin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG