Lidhje

Raporti përfundimtar i vëzhgimit të zgjedhjeve në Shqipëri


Në Tiranë u prit me reagime të ndryshme raporti përfundimtar i misionit ndërkombëtar vëzhgues të zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit.

Partitë politike komentuan secila pjesët që u përshtateshin më shumë qëndrimeve të tyre, ndërsa ekspertët vërejtën gjetjet teknike të këtij raporti.

Raporti përfundimtar i zgjedhjeve parlamentare
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:15 0:00

Raporti përfundimtar i Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR-it zgjedhjet parlamentare të 25 qershor 2017 në Shqipëri u prit në Tiranë me reagime të ndryshme.

Komentet e opozitës u përqëndruan më tepër tek konstatimi i shkeljeve, blerjes së votës dhe abuzime të tjera në procesin zgjedhor, ndërsa ato të shumicës socialiste u përqëndruan tek rekomandimet për reformën zgjedhore.

Ndërsa KQZ dhe organizatat joqeveritare me përvojë në procese zgjedhore e komentuan raportin nga pikëpamja teknike.

Kryetari i KQZ Klement Zguri shkëputi vlerësimet për institucionin që ai drejton në mbarëvajtjen e zgjedhjeve, ndërsa shpjegoi kritikat e raportit se “KQZ nuk mori masa të qartësonte kundërshtitë ligjore lidhur me reklamat elektorale në median audiovizive”.

“KQZ ka vepruar dhe do të veprojë me rigorozitet në zbatim të kuadrit ligjor në fuqi, në këtë kontekst, edhe pse KQZ nuk mund të sillej si instance eprore e Parlamentit, mekanizmi ligjor që lejon KQZ-në të qartësojë kundërshtitë, nuk u vu në lëvizje, pasi palët (partitë politike dhe operatorët radiotelevizivë), gjetën zgjidhje alternative” - tha zoti Zguro.

Ndërsa Kristaq Kume, drejtues i Institutit për Zhvillimin e Demokracisë dhe Sistemeve Zgjedhore, tha se raporti përfundimtar i vëzhguesve nuk jep një vlerësim përfundim mbi standartin e zgjedhjeve, nëse ato ishin të lira e të ndershme dhe nëse ishin më mirë se zgjedhje të mëparshme, por i kushton hapësirë të rëndësishme shitblerjes së votave dhe përdorimit të parave të pista.

Kryetari i KQZ, dha një tjetër sqarim sa i takon vërejtjeve për punën e institucionit të tij.

“Përsa i takon konstatimit se “KQZ-ja nuk mbajti qendrim të njëllojtë në vendosjen e sanksioneve për shkeljet e kuotës gjinore në listat e kandidatëve”, vendimet e KQZ-së me sanksionet administrative nuk janë përmbyllur dhe jemi ende brenda afateve ligjore për vendimmarrjen” - tha zoti Zguri.

Zoti Kume theksoi se raporti i djeshëm nuk përmbante as të dhënat dhe komentet që misioni mbajti në deklaratën paraprake një ditë pas zgjedhjeve, kur deklaruan se ata ishin të zhgënjyer nga procesi zgjedhor, ai nuk solli asgjë më të mirë nga zgjedhjet e mëparshme dhe se procesi ishte mjaftueshmërisht i pranueshëm për të siguruar stabilitetin e vendit.

Ndër rekomandimet kryesore të raportit të misionit vëzhgues është nisja sa më parë e reformës zgjedhore me përfshirjen e të gjitha palëve, bazuar në rekomandimet e tre raporteve të fundit të vëzhgimeve të OSBE-ODIHR.

Por zoti Kume thotë se reforma rrezikon të jetë sërish bipartizane, me mirëkuptimin e vetëm dy partive të mëdha dhe marrëveshje të tilla gjithmonë kanë sjellë probleme. Megjithatë problemi kryesor i zgjedhjeve dhe i raportit është blerja e votave.

Forcat kryesore politike kanë shprehur gadishmërinë për të marrë pjesë në reformën zgjedhore, madje kanë shprehur idetë dhe parakushtet e para për t'u ulur në bisedime, ku gjithsesi në qendër të bisedave pritet të jenë rekomandimet e paplotësuara të OSBE-ODIHR, që gjenden në 3 raportet e 3 zgjedhjeve të fundit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG