Lidhje

Reagime ndaj planit për reforma në Egjipt


Reagime ndaj planit për reforma në Egjipt
Reagime ndaj planit për reforma në Egjipt

Një senator i njohur amerikan ka mirëpritur bisedimet e pashembullta ndërmjet nënpresidentit të Egjiptit dhe opozitës, përfshirë lëvizjen e ndaluar Vëllazërimi Mysliman, me qëllim të planifikimit të reformave si rrjedhojë e protestave masive kundër qeverisë.

Kryetari i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, demokrati Xhon Keri nga Masaçusets, përshkruan bisedimet mes Nënpresidentit Omar Suleiman dhe përfaqësuesve të opozitës si “të jashtëzakonta”.

“Të numërojmë ato që kanë ndodhur 12 ditët e fundit: Presidenti Mubarak njoftoi se nuk do të kandidnte në zgjedhje. I biri i tij nuk do të kandidohet. Ai ka caktuar në detyrë një nënpresident. Ai është përfshirë në dialog me protestuesit. Ai tani po premton të shfuqizojë ligjin e gjendjes së jashtëzakonshme, që është një hap tejet i madh drejt ecurisë demokratike, duke i lejuar njerëzit të organizohen, të flasin, të takohen në kafene. Mendoj se ky është fillimi”.

Zoti Keri foli në program e kanalit NBC Meet the Press, ndërkohë që protestat kundër qeverisë në Egjipt vazhduan për të 13-n ditë. Protestuesit po kërkojnë që Presidenti Hosni Mubarak të japë dorëheqjen menjëherë dhe të mos presë deri pas zgjedhjeve, që priten të mbahen në shtator.

Në programin Meet the Press, u paraqit dje edhe ish-drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Mohamed ElBaradei, i cili u kthye në Egjipt kohët e fundit dhe ka mbështetur protestuesit. Zoti ElBaradei tha se nuk ka marrë personalisht pjesë në takimin me nënpresidentin dhe se ka pranuar me druajtje lajmin për planin e reformave.

“Akoma mungon besimi mes qeverisë dhe demonstruesve. Ka frikë se qeveria do të tërhiqet dhe pastaj të rikthehet për të marrë hak”.

Ambasadori i Egjiptit në Uashington, Sameh Shukri, i cili po ashtu foli në programin Meet the Press, këmbëngul se në vend janë bërë ndryshime të vërteta dhe të qëndrueshme.

“Natyrisht, gjërat nuk janë më siç kanë qenë. Gjithkush pranon se Egjipti i së ardhmes do të duket shumë më ndryshe nga Egjipti i së kaluarës. Ky është një çast kyç në historinë tonë”.

Në një intervistë të xhiruar të enjten për programin e kanalit ABC This Week, Nënpresidenti Suleiman tha se populli egjiptian do të shohë ndryshimet që i kërkojnë demonstruesit. Por ai mohoi mundësinë që Presidenti Mubarak të largohej menjëherë nga pushteti.

“Nuk duam kaos në vend. Po të thoshte Presidenti Mubarak, ‘po largohem tani’, kush do të merrte përgjegjësinë? Dua që opozita ta kuptojë këtë. Në këtë kohë të kufizuar, mund të bëjmë çfarë ka thënë Presidenti Mubarak dhe s’mund të bëjmë më tepër. Kur të vijë presidenti i ri, opozita do të ketë më shumë kohë që të bëjë çfarëdo ndryshimesh që do”.

Mohamed ElBaradei thotë se Presidenti Mubarak duhet të dorëzojë pushtetin, por nuk ka nevojë të largohet nga Egjipti.

XS
SM
MD
LG