Lidhje

Reforma e kujdesit shëndetësor, sfidë për Presidentin Trump


Presidenti Donald Trump pësoi një humbje të rëndë politike këtë javë, kur udhëheqësit republikanë të Senatit shtynë një votim për ndryshimin rrënjësor të sistemit të sigurimeve të kujdesit shëndetësor, një nga premtimet kryesore të fushatës së Presidentit. Republikanët në Senat po përpiqen të rigjallërojnë përpjekjet për kujdesin shëndetësor, por nuk bien dot dakord për këtë çështje me rëndësi, që përfaqëson një të gjashtën e ekonomisë amerikane dhe që për të dyja partitë politike ka qenë ndër më të vështirat. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone sjell më shumë hollësi.

Kujdesi shëndetësor është një çështje me kapital të madh politik për Presidentin Trump, ndërsa ai përpiqet që të vërë në jetë premtimin e tij të fushatës për të shfuqizuar dhe zëvendësuar ligjin e administratës së ish-presidentit Obama.

Ne duam një sistem shëndetësor që nderon parimet e vendit tonë, një sistem shëndetësor që kujdeset për njerëzit për arsyet e duhura dhe me koston e duhur”, deklaroi Presidenti Trump.

Por, përpjekjet e republikanëve në Senat, ngecën mes protestave para Kongresit dhe përçarjeve mes vetë senatorëve republikanë për një projekt-ligj që mund të shkaktojë humbjen e sigurimeve për miliona amerikanë.

Demokratët kundërshtojnë me këmbëngulje këto përpjekje, përfshirë senatorin Chuck Schumer.

Populli amerikan nuk do shkurtim taksash për të pasurit dhe as tkurrjen dramatike të kujdesit shëndetësor. Për këtë arsye, kjo paketë ka miratimin e vetëm 17 për qind të amerikanëve dhe as votuesit e zotit Trump nuk e pëlqejnë”, tha Senatori Schumer.

Presidenti Trump dhe republikanë si senatori John Barrasso këmbëngulin se e ashtuquajtura Obamacare po dështon dhe ka ardhur koha që Kongresi të veprojë.

Obamacare është një autobus që po shkon drejt greminës. Demokratët thonë ‘rrini brenda’. Ne republikanët duam ta shpëtojmë popullin amerikan nga ky autobus”, tha Senatori Barraso.

Reforma e kujdesit shëndetësor ka qenë në qendër të debatit politik për një brez, duke filluar nga përpjekjet e dështuara të Presidentit Bill Clinton në vitin 1993, që u drejtuan nga Zonja e Parë e atëhershme, Hillary Clinton.

Duhet të ketë një mënyrë më të mirë”, deklaronin në atë kohë Bill dhe Hillary Clinton.

Presidenti Barack Obama nënshkroi ligjin për kujdes shëndetësor në vitin 2010, duke shkaktuar një kundërshtim të ashpër nga republikanët që tani duan ta çbëjnë atë përpjekje.

Por, përpjekja republikane është e rrezikshme politikisht, thotë eksperti Matthew Fiedler:

Nuk mendoj se ka dyshim që nëse projekt-ligji miratohet, do të tkurrej në mënyrë masive numri i personave me sigurime shëndetësore. Pikëpamja ime personale është se kjo do të kishte pasoja serioze politike për republikanët”.

Dhe dështimi me kujdesin shëndetësor do të dëmtonte edhe presidentin, thotë Andra Gillespie, e Universiteti "Emory":

Duam të shohim nëse votuesit mendojnë se Presidenti Trump ka plotësuar pritshmëritë ndaj tij, apo nëse ka arrituj t’i mbajë premtimet”.

Megjithëse zoti Trump do fitoren përsa i takon kujdesit shëndetësor, sondazhet që tregojnë një mbështetje të ulët për të, mund të kufizojnë aftësinë e tij për të bindur republikanët e pavendosur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG