Lidhje

Reforma e drejtësisë: Opozita publikon platformën e saj


Në Tiranë opozita paraqiti sot platformën e saj për reformimin e sistemit të drejtësisë, të cilën do ta dorëzojë në komisionin e posaçëm parlamentar.

Partia Demokratike publikoi 300 propozime për ndryshime në Kushtetutë, për goditjen e korrupsionit në gjykata, shkollimin e gjyqtarëve dhe financimin e sistemit.

Reforma e drejtësisë: Opozita publikon platformën e saj
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:29 0:00

Ndërkohë komisioni i posaçëm parlamentar ka afro një vit që punon për këtë reformë, duke bashkuar ekspertët më të mirë të vendit me ata nga Komisioni i Venecias.

Partia Demokratike publikoi sot platformën e saj mbi reformimin e sistemit gjyqësor me 300 rekomandime, 60 prej të cilave i përkasin çështjeve që lidhen me Kushtetutën.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike, disa prej të cilëve ish-ministra drejtësie, pohuan se platforma e saj synon reformimin, pavarësinë dhe forcimin e e sistemit gjyqësor dhe jo ndërrimin e njerëzve nëpër gjykata.

Reforma në drejtësi po mbështetet nga diplomatët perëndimorë, të cilët po i kërkojnë autoriteteve të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, si rruga e vetme për t'u integruar në Bashkimin Europian.

Sipas platformës së PD-së, një kapitull që pritet të rihapë polemika midis opozitës dhe shumicës së majtë janë edhe kompetencat e presidentit dhe mënyra e zgjedhjes së tij pas mosmarrëveshjeve në vitet e fundit, ndërsa pikë kryesore është riorganizimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku presidenti shihet përsëri si pjesëtar i tij.

Platforma e propozuar nga Partia Demokratike pritet të dorëzohet në komisionin e posaçëm i cili ka afro një vit që po punon për reformën në sistemin e drejtësisë.

Opozita dhe koalicioni qeveritar arritën marrëveshje për të bashkëpunuar në reformimin e sistemit të drejtësisë në një komision me numër të barabartë anëtarësh. Marrëveshja kërkon mirëkuptimin e dy palëve për çdo pikë të reformës.

Sistemi i drejtësisë vlerësohet si më i korruptuari dhe më problematiku në institucionet e vendit. Komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi dhe grupi i ekspertëve pranë këtij komisioni po shqyrtojnë me grupet e interesit strategjinë e reformës në drejtësi për të rritur profesionalizmin dhe masat anti-korrupsion në sistemin e drejtësisë shqiptare.

Opozita dhe shumica qeveritare janë në një garë për të shpallur platforma reformuese. Ato kanë gati secila nja platformë më vete edhe për reformimin e drejtësisë, po ashtu si ndodhi me projekt-ligjin për dekriminalizimin e politikës.

XS
SM
MD
LG