Lidhje

Gjendje e vështirë e refugjatëve sirianë në Turqi


200 mijë refugjatë sirianë pa dokumenta po jetojnë jashtë kampeve të refugjatëve në Turqinë jugore. Shumë prej tyre nuk kanë pasaporta dhe autoritetet turke po përpiqen t’i regjistrojnë dhe të kujdesen për ta. Por refugjatët pa dokumenta thonë se ndihmat janë ende të pakta dhe disa prej tyre janë të detyruar të fillojnë të punojnë tokën.

Um'Steif Aysa al Fadil, nënë e tetë fëmijëve, mbledh gjethe jeshile pranë shtëpisë në periferi të qytetit Kilis në jug të Turqisë ku ajo tani banon.

Kjo bimë, të cilën ajo do ta zjejë, është ushqimi i vetëm për familjen e saj pas ikjes nga vendi për në Siri, për shkak të sulmeve ajrore qeveritare një muaj më parë. Familja Um'Steif është në mesin e dhjetëra mijëra refugjatëve sirianë pa dokumenta, të cilët kanë shkuar në Turqi.
Për 10 ditë ata kanë fjetur në një park publik në këtë rajon, para se të merrnin me qira këtë ndërtesë. Por ata i kanë harxhuar pothuaj të gjitha paratë dhe djemtë e saj nuk mund të gjejnë punë.

“Është dimër dhe ne nuk njohim njeri këtu, për këtë arsye ne nuk mund të gjejmë punë”.

I ka marrë malli për shtëpinë e tyre në Siri...

“Dëshira ime do të ishte që nesër të ktheheshim në Siri, Siria është një vend kaq i bukur ...”

Bashkëshorti i vajzës së saj, Ahmed Naseef, ka ardhur në Turqi para pak ditësh, pasi fëmijët e tyre mezi i shpëtuan sulmeve ajrore. Ai thotë se nuk e di se si do të kujdeset për ta pa shtëpi dhe pa punë.

“Ne nuk kemi mbështetje të mjaftueshme. Nuk kemi shumë shanse, këtu sepse jemi këtu në mënyrë të paligjshme dhe pa pasaporta”.

Gjendja e vështirë e këtyre refugjatëve nuk duket se po përmirësohet me kalimin e kohës. Ahmed Mustafa, një rrobaqepës, ka ikur nga Siria shtatë muaj më parë. Familja e tij 11 anëtarëshe tani jeton në dy dhomat e katit të sipërm të kësaj stalle, por ai thotë se ata mund të dëbohen në çdo kohë. Fëmijët e Ahmedit kanë kaluar dimrin pa këpucë dhe asnjëri prej tyre nuk shkon në shkollë.

“Si është jeta ime tani? Kam 8 fëmijë dhe shtëpia ime është shkatërruar plotësisht, nuk ka mbetur as edhe një gotë për të pirë ujë”.

Turqia, me mbështetjen e UNHCR-së, ka hapur 10 qendra koordinuese për regjistrimin e refugjatëve sirianë pa dokumenta dhe për shpërndarjen e ndihmave. Deri tani, janë regjistruar 50 mijë persona, por rreth 150 mijë refugjatë të tjerë janë të paregjistruar.
XS
SM
MD
LG