Lidhje

Në Tiranë 14 refugjatët e parë muxhahedinë


Shqipëria do të strehojë 210 persona nga kampi Ashraf në Irak duke ju përgjigjur kërkesës së bërë nga SHBA, te cilat shprehën mirënjohjen e tyre për gjestin human dhe bujar të qeverisë shqiptare

Në Shqipëri ka mbërritur grupi i parë i 14 prej 210 anëtarëve të organizatës Mojahedin-e-Khalq, ose sic njihet ndryshe me emrin Muxhahedinët e popullit Iranian. Ministria e Brendshme njoftoi mbrëmë se janë marrë të gjitha masat për akomodimin dhe qëndrimin e sigurtë të këtyre personave në një nga Qendrat e Pritjes së Azilkërkuesve në Shqipëri. Ata vijnë në Shqipëri nëpërmjet UNHCR, në përgjigje të kërkesës së qeverisë së SHBA, e cila ka edhe në mbikqyrje kampin Ashraf në Irak. Organizata Mojahedin-e-Khalq konsiderohet si opozita politike e regjimit të Ahmadinexhadit në Iran. Janë afër tremijë anëtarë të saj që prej vitesh ndodhen të strehuar në Irak

Dy muaj më parë gjatë një takimi në TIranë me Zëvendës Ndihmës Sekretaren amerikane të Shtetit për Cështjet e Lindjes së Afërt, Barbara Leaf së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Irakun, Ambasadorin Martin Kobler, kryeministri Sali Berisha bëri të ditur vendimin për strehimin në Shqipëri të 210 muxhahedinëve nga kampi Ashraf i Irakut. Në të vërtetë vendimi për strehimin e refugjatëve iranianë, ishte finalizimi i një premtimi dhe angazhimi që Tirana kishte marrë që gjatë vizitës së ish sekretares amerikane Hillary Klinton në Shqipëri vjeshtën e kaluar.

Mbrëmë ministria e Brendshme njoftoi mbërritjen e grupit të parë prej 14 personash. Ardhja e këtij grupi shënon edhe fillimin e zbatimit të programit për strehimin e këtyre personave, të cilët gëzojnë statusin e refugjatit, shpjegoi ministria, duke saktësar se “në bazë të marrëveshjes, së arritur, do të vijojë mbërritja e refugjatëve të tjerë që Qeveria Shqiptare ka vendosur t’i pranojë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Qeveria – vazhdon më tej njoftimi - ka marrë përsipër sigurimin e një qëndrimi afatgjatë të tyre në vendin tonë, trajtimin sipas të gjitha standarteve të parashikuara nga e drejta ndërkombëtare dhe konventat e njohura nga Shqipëria”.


Shtetet e Bashkuara shprehën mirënjohjen e tyre për gjestin human dhe bujar të qeverisë së Shqipërisë për të pranuar banorët e ish kampit Hurriya.Shqipëria, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, ka qënë një partnere e fortë e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në Irak. Shtetet e Bashkuara, ndërkohë, i bëjnë thirrje udhëheqjes së grupit Mujahedin-e Khalq që të bashkëpunojnë me përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për risistemimin jashtë irakut të të gjithë banorëve të kampit.

Që prej vitit 1979 organizata Mojahedin-e-Khalq është konsideruar nga autoritetet e Iranit si një lëvizje që përfaqëson tradhëtarët e atdheut. Të strehuar në Irak, anëtarët e saj morën pjesë në krah të Saddam Huseinit në vitet ’80, gjatë luftës mes Irakut dhe Iranit. Në gjysmën e dytë të viteve 90, Muxhahedinët e Popullit Iranian, sic njihen dhe ndryshe, u përfshin në listën e organizatave terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Per shumë vite me radhë, ajo është konsideruar si e tillë edhe nga Bashkimi europian. Vetëm në 2009, Brukseli me një vendim të 27 vendeve anëtare vendosi ti heqë nga lista e organizatave terroriste dhe në shtator të vitit 2012 një vendim i ngjashëm u mor edhe nga Shtetet e Bashkuara. Kjo organizatë është ndër themelueset kryesore të Këshillit Kombëtar të rezistencës iraniane, në opozitë me regjimin e presidentit Ahmadinexhad. Nga viti 2003, kur në Irak hynë trupat amerikane, mbi 3 mijë anëtarë të organizatës qëndrojnë të strehuar në kampin Ashraf, nën mbikqyrjen e forcave amerikane. Organizata e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR, u ka njohur atyre statusin e refugjatit.
XS
SM
MD
LG