Lidhje

Zgjedhjet në SHBA: debati republikan


Gara mes republikanëve, se cili do të jetë kandidati zyrtar për president, që pas super të martës, është përqëndruar në goditjen e kryesit të garës Donald Trumpit. Gjatë një debati të enjten, rivalët iu kundërvunë ashpër biznesmenin njujorkez, që duket se po marshon drejt marrjes së kandidaturës.

Senatori Marco Rubio premtoi të fliste rreth çështjeve, por shpesh u përlesh në një luftë verbale me Trumpin.

Rubio: “Nga të gjithë ne këtu, ai është më i dobëti në përballjen me Hillary Clintonin”.
Trump: “E ke gabim. Unë e mposht Hillary Clinton në shumë anketa”.

Rubio: “Ti humbet (ndaj Klintonit)” …

Trump: “Unë dal mbi Hillary Clinton në shumë anketa”.

Rubio: “Ajo fiton thellë me ty.”

Trump: “Më fal, e kam unë fjalën”…

Moderatorja: “Më falni po audienca nuk mund t’ju kuptojë kur flisni në të njëjtën kohë”

Debati që u zhvillua në Detroit, ishte i mbushur me fyerje personale.

Senatori Ted Cruz u përpoq të qëndronte larg zënkave por e goditi Trumpin duke kritukuar slloganin e fushatës së tij për ta bërë “Amerikën përsëri të fuqishme”:

"Nuk mendoj se amerikanët janë të interesuar për këto sllogane fëmijënore. Ata duan zgjidhje, jo sllogane. Është e lehtë të thuash t’i bëjmë gjërat më mirë. Por pyetja është, a i kupton pikë së pari parimet që e bëjnë Amerikën një vend të madh."

Cruz, rivali më i afërt i Trumpit në garat e kontestueshme, po përpiqet të bindë votuesit se ai është alternativa më e mirë ndaj biznesmenit miliarder.

Por guvernatori i Ohajos John Kasich argumentoi se ai është kandidati i duhur për të mposhtuar demokratët në nëntor:

"Unë mund të marrë vota nga të dyja palët, pasi gjatë gjithë fushatës unë kam diskutuar vetëm për çështjet. Asnjëherë nuk jam futur në këto debate që po shihni sonte. Njerëzit thonë se kudo që shkoj, unë dukem si i rrituri në skenë."

Por Kasich nuk ka fituar ende asnjë shtet dhe vazhdimi i fushatës së tij varet në se ai do të fitojë zgjedhjet paraprake në shtetin e tij të Ohajos më 15 mars.

Trump është i vetmi kandidat republikan në rrugën e duhur për të fituar 1,237 delegatët e nevojshëm për të marr emërimin.

Shumë ligjvënës republikanë dhe figura kryesore të partisë kanë thënë se kurrë nuk do të mbështesin Trumpin, edhe nëse ai merr kandidaturën.

Mitt Romney, kandidati republikan presidencial në vitin 2012, la pak dyshime për qëndrimin e tij ndaj një kandidature të mundshme të Donald Trump:

"Donald Trump është një hipokrit, një mashtrues. Premtimet e tij janë të pavlefshme ashtu si një diplomë nga Universiteti Trump. Ai po luan me publikun amerikan. "

Romney tha se politikat e brendshme të zotit Trump do të çonin në recesion dhe qasja e tij ndaj politikës së jashtme do t’i bënte Shtetet e Bashkuara dhe botën më pak të sigurtë.

Donald Trump u përgjigj menjëherë duke u kujtuar përkrahësve të tij se e kishte mbështetur dhe kishte grumbulluar fonde për Romney-n, katër vjet më parë:

“Foli keq për mua. Mendoja se ishte njëri më i mirë se aq. E kam ndihmuar. Grumbullova fonde për fushatën e tij. E shihni sa besnik është. Ai m’u lut ta mbështesja. Mund t’i thosha, ‘Mitt, bjer në gjunjë,’ dhe ai do ta kishte bërë.”

Katër vjet më parë, të dy shihen duke qeshur gjatë mbështetjes që zoti Trump i dha Romney-t:

“Është nder dhe privilegj të jap mbështetjen time për Mitt Romneyn.”

“Është kënaqësi të jesh në këtë hotel të mrekullueshëm të Donald Trumpit dhe të kesh mbështetjen e tij.”

Përplasja Romney-Trump tregon çarjen e thellë sot në partinë republikane.

XS
SM
MD
LG