Lidhje

Ligjvënësi republikan nën akuza federale


Ligjvënësi republikan, Chris Collins, përkrahës i Presidentit Trump, thotë se akuzat e ngritura ndaj tij se ka shitur aksione në mënyrë të paligjshme janë të pabaza. Avokati i tij tha se zoti Collins ka në plan të luftojë me vendosmëri për të provuar pafajësinë. Vetë ligjvënësi thotë se ka në plan të konkurrojë për t’u rizgjedhur në nëntor.

Ligjvënësi nxori një deklaratë në Bafalo të Nju Jorkut mbrëmë, ku zotohej se do të luftonte për të vërtetuar pastërtinë e figurës së tij.

Prokurorët e kanë akuzuar ligjvënësin se ka shitur aksione bazuar në informacione që ai kishte marrë si person i brendshëm, gjë që përbën vepër penale. Zoti Collins ishte në bordin drejtues të kompanisë bioteknologjike Innate që po kalonte disa probleme. Sipas prokurorëve, si anëtar i bordit ai mësoi për këto probleme dhe shiti aksionet e kompanisë. Është e paligjshme që një individ të shesë aksione bazuar në informacion që nuk është bërë publik.

“Besoj se veprova në mënyrë të rregullt, në përputhje me ligjin për sa u përket lidhjeve të mia me kompaninë. Gjatë gjithë kohës në Kongres kam ndjekur të gjitha rregullat dhe udhëzimet etike në investimet që kam bërë, përfshirë investimet në kompaninë bioteknologjike Innate. Kur u bë e qartë se ilaçi që po testohej nuk realizonte synimet që pritej, nuk i shita aksionet. Si rezultat, humba investimin që kisha bërë në këtë kompani, me vlerë prej miliona dollarësh,” u shpreh ligjvënësi.

Prokurorët thonë se djali i zotit Collins dhe të tjerë shpëtuan 770 mijë dollarë nga humbjet duke shitur aksionet e kompanisë pasi morën informacion nga ligjvënësi se ilaçi i ri që po testonte kompania për të luftuar sklerozën e shumfishtë ishte “dështim i plotë”.

“I biri, Cameroni, shiti aksione. E fejuara e Cameronit shiti aksione. Babai i së fejuarës shiti aksione. E shoqja e babait të së fejuarës shiti aksione. Miq e të afërm shitën aksione, të gjithë sepse ligjvënësi shkeli detyrimin që kishte për të mbajtur sekret informatat e brendshme për kompaninë,” tha prokurori federal.

Ligjvënësi u largua nga gjykata pasi u lexuan akuzat. Edhe djali dhe babai i së fejuarës së tij ishin në gjykatë të akuzuar për vepra penale lidhur me të njëjtët afere korruptive.

Kompania Innate, me bazë në Sidnej të Australisë tha se ka bashkëpunuar plotësisht me prokurorët amerikanë dhe se vetë kompania dhe drejtuesit e saj nuk janë nën hetime.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG