Lidhje

SHBA, një restorant që mirëpret personat që vuajnë nga demenca


Një restorant në qytezën Herndon në Virxhinia duket si një vend tipik ku familjet mund të shkojnë dhe të shijojnë ushqimet që duan. Por ky restorant shërben më shumë sesa ushqime të shijshme, ai është në shërbim të njerëzve me nevoja të veçanta.

Një simbol në dyert e këtij restoranti tregon se ato janë të hapura për ata që vuajnë nga demenca.

Serving Compassion With Dinner for People with Dementia
Serving Compassion With Dinner for People with Dementia

Të gjithë punonjësit dinë si të sillen me personat që vuajnë nga kjo sëmundje. Projektin e nisi Toni Reinhart. Për 18 vite me radhë ajo ka drejtuar një agjenci që ndihmonte të moshuarit e personat me demenca. Por kur sëmundja preku babain e saj, ajo e kuptoi se shumë prej hapësirave publike në SHBA nuk janë të përshtatshme për këtë kategori.

“U trondita kur kuptova se sa e vështirë ishte të nxirrje në komunitet një person që mund të ishte në fazat e para të demencës. Prandaj mendova të ndryshojë realitetin pasi tani që kjo është familja ime”, thotë zonja Reinhart, nismëtare e projektit “Dementia Friendly America”.

Sipas një studimi në rang kombëtar mbi shëndetin dhe plakjen, më shumë se 70 për qind e njerëzve me demenca qëndrojnë në shtëpi.

Kjo shifër është pasojë e mungesës së njohurive se si të trajtohen këta njerëz në vende publike.

Zonja Reinhart në bashkëpunim me organizatën “Dementia Friendly America” nisi një fushatë në Virxhinia për të mësuar ata që punojnë në industrinë e shërbimeve se si të trajtojnë personat me demenca.

“Ndonjëherë shkoj në kishë e bisedoj me njerëz dhe ata më thonë: Pra kjo i ka ndodhur me komshiun tim, paska demenca!. Kjo është gjëja kryesore, që njerëzit të kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë”, thotë ajo.

Zonja Reinhart dhe kolegët e saj vendosën ta nisin punën me restorantet. “Kuzhina Virxhinia” ishte ndër të parat që vendosi të punojë me këtë organizatë.

“Nuk mund ta përgjithësojmë, por të jemi të sinqertë të gjithë kemi një anëtar familje ose një shok të prekur nga demecia, po bëhet pjesë e jetës. Ndaj na duhet që në çdo fushë të jetës të jemi gjithëpërfshirës”, tha pronari i restorantit “Kuzhina Vrixhinia”, Lincoln Krueger.

Zonja Reinhart këshillon punonjësit që të shmangin debatet me njerëz që kanë demenca dhe çdo kontakt me sy ta shoqërojnë me një buzëqeshje. Ajo thotë se me këta njerëz duhet të flasësh qetë dhe qartë, sepse u duhet më shumë kohë ta përpunojnë informacionin.

“Sidomos ne amerikanët, flasim shpejt është mënyra jonë e komunikuarit. Një gjë që duhet të bëjmë është të flasim ngadalë dhe të japim çdo herë nga pak informacione. Këtu mbase ka 40 lloje sallatash, por ju mund të sygjeroni dy”, tha ajo.

Ekipi i zonjës Reinhart përbëhet kryesisht nga gratë. Por kohët e fundit përbërja po ndryshon, pasi edhe burrat po shprehin gatishmëri të ndihmojnë.

Rritja e vetëditjes mbi problemin që paraqet demenca është e domosdoshme. Sipas parashikimeve në vitin 2030 numri i të prekurve në të gjithë botën do të jetë 75 milionë vetë.

Disa studime thonë se aktivitetet fizike i ulin mundësitë për t’u prekur nga demenca dhe për zonjën Reinhart aktiviteti nënkupton vallëzimin, diçka që ajo bën çdo ditë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG